Zyrtarët izraelitë thonë se duan ta shmangin luftën e plotë gjatë hakmarrjes në Liban - NACIONALE

Zyrtarët izraelitë thonë se duan ta shmangin luftën e plotë gjatë hakmarrjes në Liban

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli dëshiron që ta dëmtojë Hezbollahun, por jo ta tërheqë Lindjen e Mesme në luftë të plotë, thanë të hënën dy zyrtarë izraelitë, përderisa Libani u përgatit për hakmarrje pas një sulmi me raketë që la të vrarë 12 fëmijë e adoleshentë në Rrafshnaltën e Golanit, e pushtuar nga Izraeli.

Dy zyrtarë të tjerë thanë se Izraeli ishte duke u përgatitur për mundësinë e disa ditëve me luftime pas sulmit të së shtunës me raketë në një fushë sporti në fshatin Druze, raporton agjencia “Reuters”.

Të katër zyrtarët, ku përfshihen një zyrtar i lartë i mbrojtjes dhe një burim diplomatik, folën në kushte anonimiteti dhe nuk dhanë informacione të mëtejme për planet e Izraelit për hakmarrje.

“Vlerësimi është që kundërpërgjigjja nuk do të çojë te një luftë e plotë. Kjo nuk do të ishte në interesin tonë në këtë pikë” – tha burimi diplomatik.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar Hezbollahun e Libanit për sulmin, por grupi ka mohuar se ka pasur ndonjë rol.

Të dielën, kabineti izraelit i sigurisë i autorizoi kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për të vendosur rreth mënyrës dhe kohës së kundërpërgjigjes ndaj sulmit që la 12 të vrarë.

Gazeta izraelite “Yedioth Ahronoth” citoi zyrtarë të paidentifikuar të kenë thënë se kundërpërgjigjja do të jetë “e kufizuar por domethënëse”.

Në raportimin e kësaj gazete thuhet se në mesin e opsioneve përfshihet një sulm i kufizuar ndaj infrastrukturës, përfshirë urat, centralet e energjisë dhe portet e deri te goditja e depove të armëve të Hezbollahut ose shënjestrimi i komandantëve të grupit./Nacionale

Lajme të ngjashme