Zyra e Netanyahut mohon se Hamasi është pajtuar për pakt armëpushimi në Gaza - NACIONALE

Zyra e Netanyahut mohon se Hamasi është pajtuar për pakt armëpushimi në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të mërkurën mohoi se Hamasi është pajtuar me propozimin për armëpushim në Gaza që është paraqitur nga ndërmjetësit nga Katari, pasi një zyrtar izraelit tha se grupi palestinez e kishte dhënë dritën e gjelbër.

Kanalet mediale izraelite kishin raportuar se, pas miratimit të propozimit nga Hamasi, marrëveshja do të njoftohej formalisht të enjten dhe do të hynte në fuqi të dielën përmes lirimit të pengjeve të para, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, zyra e kryeministrit izraelit tha se Hamasi nuk e ka kumtuar përgjigjen e vet ndaj propozimit.

“Ndryshe nga raportimet, organizata terroriste e Hamasit ende nuk e ka kthyer përgjigjen e vet për marrëveshjen” – tha zyra e kryeministrit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, më herët në një konferencë për gazetarë tha se të dyja palëve u ishte dërguar një tekst dhe se po zhvilloheshin bisedime për hollësitë e fundit.

Presidenti amerikan në largim, Joe Biden, administrata e të cilit ka qenë duke marrë pjesë në ndërmjetësim krahas një emisari të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, tha se një marrëveshje ishte afër.

Lajme të ngjashme