Zyra e nënpresidentit Vance e fshin postimin ku përmendej “gjenocidi armen”
Shtëpia e Bardhë të martën fshiu një postim në rrjete sociale nga llogaria e nënpresidentit JD Vance ku masakrat ndaj armenëve identifikoheshin si “gjenocid”, duke thënë se mesazhi për këtë çështje, që bie ndesh me aleaten e ShBA-së, Turqinë, ishte publikuar gabimisht.
Vance, i cili ishte për një vizitë dyditore në Armeni, e vizitoi Memorialin e Gjenocidit Armen Tsitsernakaberd në Jerevan gjatë vizitës së parë ndonjëherë nga një nënpresident amerikan në këtë shtet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në llogarinë zyrtare të Vances në rrjetin X më vonë u shkrua se vizita në memorial e kishte për qëllim “nderimin e viktimave të gjenocidit armen të vitit 1915”.
Pasi ky postim u fshi, një ndihmës i nënpresidentit amerikan, i cili refuzoi që të identifikohej, tha se shkrimi ishte publikuar gabimisht nga stafi që nuk ishte pjesë e delegacionit që kishte udhëtuar në Armeni.
“Kjo është një llogari që menaxhohet nga stafi që kryesisht ekziston për të shpërndarë fotografi dhe video të aktiviteteve të nënpresidentit” – tha një zëdhënës i tij, duke shtuar se pikëpamjet e Vances më së miri përshkruhen nga vetë komentet e tij para gazetarëve. Në ato komente, Vance nuk e përdori fjalën “gjenocid”.
Turqia pranon se shumë armenë që jetonin në Perandorinë Osmane janë vrarë në përleshjet me forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, por i konteston shifrat dhe mohon se vrasjet ishin të orkestruara sistematikisht apo që përbëjnë gjenocid.
Edhe pse Kongresi i ShBA-së dhe paraardhësi i presidentit Donald Trump, Joe Biden, i kanë njohur masakrat e vitit 1915 si gjenocid, Trumpi e shmangu këtë term në deklaratën e tij për këtë çështje vitin e kaluar.
Turqia është aleate e Shteteve të Bashkuara në NATO dhe presidenti Rexhep Erdoan ka mbajtur lidhje të ngushta me homologun amerikan, përfshirë mbështetjen e nismës diplomatike amerikane për Gazën./Nacionale