Zyra e Kryeprokurorit të Zvicrës: Janë dorëzuar ankesa penale për presidentin izraelit në Davos - NACIONALE

Zyra e Kryeprokurorit të Zvicrës: Janë dorëzuar ankesa penale për presidentin izraelit në Davos

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokurorët zviceranë konfirmuan të premten se presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, kishte qenë subjekt i ankesave penale gjatë vizitës së tij në Davos për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, në kohën kur Izraeli po akuzohet për kryerje të krimeve të luftës në Gaza.

“Ankesat penale do të ekzaminohen në përputhje me procedurën e zakonshme”- tha Zyra e Kryeprokurorit të Zvicrës, duke shtuar se do ta kontaktonte Ministrinë e Jashtme për ta ekzaminuar çështjen e imunitetit të individit të përfshirë në rast, raporton agjencia “Reuters”.

Në teori, vendet e treta nuk kanë juridiksion penal mbi udhëheqës shtetesh, udhëheqës qeverish dhe ministra të jashtëm të shteteve të tjera.

Zyra e Kryeprokurorit të Zvicrës nuk zbuloi hollësi për natyrën dhe numrin e ankesave e as për atë se kush i ka paraqitur ato.

Një zëdhënës i zyrës së Herzog-ut nuk e komentoi deklaratën e prokurorëve zviceranë, duke thënë vetëm që presidenti izraelit kishte qenë në Davos për ta paraqitur pozicionin e Izraelit ndaj situatës në Gaza.

Herzogu foli të enjten në Forumin Ekonomik Botëror, ku i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i refuzojë akuzat për gjenocid ndaj Izraelit.

Javën e kaluar, ai tha se “nuk ka asgjë më mizore e absurde” se padia e dorëzuar nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me të cilën Izraeli akuzohet për gjenocid kundër palestinezëve në Gaza.

Në rastin e paraqitur në GjND, Afrika e Jugut i përmendi presidentin Herzog dhe zyrtarë të tjerë izraelitë, për të cilët thotë se kanë shprehur qëllim gjenocidal kundër palestinezëve.

Lajme të ngjashme