Zjarr masiv në Spanjë, digjen të paktën 7.500 hektarë
Qindra zjarrfikës civilë dhe ushtarakë po luftojnë kundër një zjarri të madh në natyrë në pjesën jugperëndimore të Spanjës, i cili ka djegur të paktën 7 mijë e 500 hektarë sipërfaqe dhe e ka bërë të detyrueshme zhvendosjen e mbi 500 njerëzve që nga nisja e tij të mërkurën në mbrëmje.
Përpjekjet për ta shuar zjarrin “shumë të madh dhe të vështirë” në zonat Las Hurdes dhe Sierra de Gata po vështirësohen nga era e fuqishme, sipas autoriteteve lokale, të cilat kanë thënë se zjarri është nisur qëllimisht.
Njerëzit në tri fshatra – Cadalso, Descargamania dhe Robledillo de Gata – janë evakuuar, ndërsa tri rrugë kryesore janë mbyllur, raporton gazeta “The Guardian”.
“Probleme nuk janë burimet njerëzore dhe material. Problem është era me shpejtësi deri në 60 kilometra në orë, që po e bën jashtëzakonisht të vështirë kontrollimin e zjarrit”- tha udhëheqësi rajonal, Guillermo Fernandez Vara.
Sipas tij, kushdo që e ka ndezur zjarrin, e ka ditur se çfarë ishte duke bërë, duke shtuar: “Drurët e pishave janë si kanaçe me benzinë, ndërsa boçat e pishave janë si flakëhedhëse.”
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, anuloi një vizitë për fushatë në rajon para zgjedhjeve lokale dhe rajonale të javës së ardhshme. Ai tha se është duke e përcjellë situatën për së afërmi dhe ua ofroi përkrahjen e plotë njerëzve të prekur nga zjarri.
Në vitin 2003, mbi tetë mijë hektarë tokë ishin djegur në Las Hurdes, ndërsa më shumë se pesë mijë hektarë tokë u dogjën në të njëjtën zonë në korrikun e vitit të kaluar.
Sipas Sistemit Informues Evropian për Zjarret në Pyje, më shumë se 315 mijë hektarë tokë në Spanjë ishin përfshirë nga zjarret vitin e kaluar.
Qeveria spanjolle javën e kaluar miratoi një plan prej 2,2 miliardë eurosh për t’i ndihmuar bujqit dhe konsumatorët për t’u ballafaquar me thatësinë, e cila është përkeqësuar nga prilli më i nxehtë dhe më i thatë që është regjistruar ndonjëherë.