Zgjedhjet në Suedi, garë e ngushtë mes së majtës dhe të djathës ekstreme - NACIONALE

Zgjedhjet në Suedi, garë e ngushtë mes së majtës dhe të djathës ekstreme

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Të dielën suedezët nisën votimet në zgjedhje legjislative, të cilat ose do të hapin rrugë për një qeveri të paprecedentë të krahut të djathtë të mbështetur nga e djathta ekstreme ose një mandat të tretë radhazi për socialdemokratët në pushtet.

Sondazhet e opinionit kanë parashikuar një garë të ngushtë me një avantazh të vogël për socialdemokratët e kryeministres Magdalena Andersson dhe bllokun e majtë, pas një fushate të dominuar nga rritja e të shtënave nga bandat dhe rritja e çmimeve të energjisë elektrike.

Qendrat e votimit në vend janë hapur në orën 8 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20:00 me rezultatet që pritet të dalin rreth mesnatës.

Në sondazhet e opinionit pas socialdemokratëve, e djatha ekstreme ka arritur të dalë në vendin e dytë me rreth një të pestën e votave.

Rritja e tyre – duke kapërcyer liderët tradicionalë të bllokut të krahut të djathtë, të moderuarit konservatorë, iu atribuua një gare zgjedhore të fokusuar në çështje të afërta me votuesit e tyre, duke përfshirë krimin, ndarjen dhe integrimin e emigrantëve.

Megjithatë, kryeministrja Andersson, 55-vjeç shpreson të mbetet në pushtet me mbështetjen e partive të vogla.

Duke folur për gazetarët në një tubim në prag të votimit, ajo tha se shpresonte se kishte bindur votuesit "se Social Demokratët janë një parti për njerëzit e zakonshëm, për punëtorët, me rrjeta të mira sigurie, punë të mira dhe një të ardhme të mirë".

Andersson, partia e së cilës ka dominuar politikën suedeze që nga vitet 1930, gëzon mbështetje të gjerë mes suedezëve.

Me një diferencë gjithnjë të madhe në sondazhet e opinionit deri më tani, ajo ka qenë gjithmonë e para për postin e kryeministrit, në sfidë me liderin e moderatëve Ulf Kristersson.

Megjithatë, këtë radhë, anketuesit i vendosën të dy blloqet afër, duke parashikuar 49.7-51.6% të mbështetjes së votuesve për të majtën dhe 47.6-49.4% për të djathtën.

Lajme të ngjashme