Zgjedhjet në Spanjë: Priten humbja e kryeministrit Sanchez e ardhja e së djathtës ekstreme
Spanjollët do të vendosin të dielën se a do të qeverisen nga e majta apo e djathta. Zgjedhjet e reja mund t’i sigurojnë të djathtës ekstreme një vend në qeveri për herë të parë që nga kthimi i vendit në demokraci pas vdekjes së Gjeneralit Franko para gati 50 viteve.
Sipas anketave, partia opozitare konservatore, Partia Popullore, pritet që të dalë e para, por pa e siguruar shumicën absolute. Edhe pse kryetari i saj, Alberto Nunez Feijoo, doli fitues i debatit javën e kaluar me kryeministrin socialist, Pedro Sanchez, fushata e Partisë Popullore ka pasur ditë të dobëta në pjesën e fundit të fushatës, raporton gazeta “The Guardian”.
Kryetari i Partisë Popullore është ballafaquar me pyetje për miqësinë e tij të vjetër me një burrë që më vonë ishte dënuar për trafikim droge. Duke folur të premten, Feijoo i akuzoi kundërshtarët se po mundoheshin që ta njollosnin, duke shtuar se kur e kishte njohur, personi në fjalë “kishte qenë kontrabandist, (por) kurrë trafikues droge”.
Zgjedhjet e së dielës u shpallën nga kryeministri Sanchez, pasi partia e tij dhe partnerët e koalicionit shënuan rezultate shumë më të dobëta se që pritej në zgjedhjet komunale dhe rajonale në maj.
Sipas anketave, Partia Popullore, e cila për herë të fundit e ka udhëhequr vendin në periudhën mes viteve 2011 e 2018, pritet që ta fitojë shumicën e votave, por nuk pritet që ta sigurojë shumicën e ulëseve në Kongresin me 350 anëtarë. Kjo do të thotë se për formimin e qeverisë së ardhshme, Partisë Popullore mund t’i nevojitet përkrahja e partisë së të djathtës ekstreme, Vox, e cila tash për tash është grupi i tretë më i madh në Kongres dhe me të cilën Partia Popullore tashmë ka bërë disa koalicione rajonale.
Kryeministri Sanchez është munduar që zgjedhjet e së dielës t’i paraqesë si ballafaqim mes forcave të progresit dhe forcave të konservatorizmit reaksionar, duke pretenduar se vetëm partia e tij dhe aleatët e saj mund të ofrojnë dhe të mbrojnë një axhendë progresiste.
Sanchez-i e ka akuzuar Partinë Popullore se e ka legjitimuar mohimin e ndryshimit të klimës dhe dhunës me bazë gjinore nga partia Vox përmes nënshkrimit të marrëveshjeve me partinë e së djathtës ekstreme.
“Është diçka që është shumë më e rrezikshme se Vox-i dhe kjo është pasja e një Partie Popullore që i pranon politikat dhe qëndrimet e Vox-it dhe kjo është ajo që po e shohim: një mohim, kur bëhet fjalë për konsensusin social, politik e shkencor”- tha kryeministri Sanchez në një intervistë të realizuar rishtazi me gazetën “El Pais”.
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Popullore e ka akuzuar koalicionin qeveritar të pakicës se ka qenë peng i partive separatiste katalane e baske, nga të cilat varej për ta përkrahur në kuvend. Ai ka thënë, gjithashtu, se synon që të shfuqizojë disa ligje të miratuara nga qeveria e deritashme, përfshirë një ligj për të drejtat e personave transgjinorë dhe një tjetër rreth trashëgimisë së diktaturës së Frankos.
