Zelenskyt s’i pëlqen propozimi i Kinës dhe Brazilit për paqe - NACIONALE

Zelenskyt s’i pëlqen propozimi i Kinës dhe Brazilit për paqe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se propozimi i Kinës dhe Brazilit për arritjen e paqes në vendin e tij është “destruktiv” dhe se dokumenti shërben thjesht si “deklaratë politike”.

Zelensky i dha këto komente në një intervistë të publikuar të mërkurën, raporton gazeta “The Guardian”, duke e cituar agjencinë “Reuters”.

“Propozimi kinezo-brazilian është gjithashtu destruktiv, është thjesht një deklaratë politike. Si mund të ofroni “ja nisma jonë” pa kërkuar asgjë nga ne?” – citohet të ketë thënë Zelensky, sipas mediumit brazilian, “Metropoles”.

Ndërkohë, agjencia “Reuters” raportoi se presidenti kinez, Xi Jinping, mund të takohet me homologun ukrainas muajin e ardhshëm, duke cituar një delegate ukrainas në Pekin, kur Kina e hapi ngjarjen më të madhe vjetore të saj për diplomaci ushtarake.

Oleksandr Chalyi, ish-zëvendësministër i Jashtëm i Ukrainës, tha në njërin prej sesioneve hapëse të Forumit “Xiangshan” se diplomacia mes Kievit dhe Pekinit ishte përmirësuar në muajt e fundit dhe se një takim është i mundshëm.

Duke i vënë në pah përpjekjet kineze për ta ndihmuar rikthimin e sigurisë evropiane, Chalyi tha se “tani të gjithë ne në Ukrainë jemi në pritje të disa kontakteve, kontakteve të drejtpërdrejta mes presidentit Zelensky dhe presidentit Xi”.

Pekini e ka paraqitur veten si neutral sa i përket pozicionit rreth luftës Rusi – Ukrainë, por mban lidhje të ngushta strategjike me Moskën dhe nuk u bë pjesë e një samite të paqes të organizuar nga Ukraina në qershor.

Lajme të ngjashme