Zelensky ua paraqet aleatëve “planin e fitores”, diskutohen sulmet me rreze të gjatë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ua ka paraqitur “planin e fitores” disa aleatëve evropianë dhe ka thënë se armëpushimi me Rusinë nuk është në diskutim me ta, duke bërë thirrje për më shumë përkrahje perëndimore.
Ai e diskutoi “planin e fitores” me udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Italisë si dhe me sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, raporton gazeta “The Guardian”.
“Samiti i ardhshëm i paqes duhet të jetë në nëntor. Plani do të jetë mbi tavolinë... në fillim të nëntorit, plani do të jetë me të gjitha hollësitë” – iu tha gazetarëve Zelensky të enjten në Paris, kur u pyet për një konferencë të mundshme të paqes.
Presidenti i hodhi poshtë raportimet se ai ishte duke i diskutuar kushtet e një armëpushimi me Rusinë, duke i përmendur dezinformatat ruse, dhe nuk dha hollësi në Londër ose në Paris për “planin e fitores”.
Zelensky gjithashtu diskutoi për mundësinë që Ukraina të përdorë raketa perëndimore kundër caqeve në Rusi gjatë bisedimeve më herët të enjten me kryeministrin britanik, Keir Starmer, dhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“E diskutuam këtë sot, por në fund u përket aleatëve veç e veç” – tha Rutte para gazetarëve në Londër pas diskutimeve.
Zëdhënësi i kryeministrit britanik tha se nuk ka pasur ndryshim të pozicionit të Mbretërisë së Bashkuar për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.
Në Ukrainë, katër njerëz u vranë nga një sulm rus me raketë në rajonin jugor të Odesës të premten, tha guvernatori rajonal. Një raketë balistike goditi një ndërtesë dykatëshe ku jetonin e punonin civilë, tha guvernatori Oleh Kiper. Dhjetë të tjerë u plagosën.
Duke e përmbyllur udhëtimin nëpër Evropë, Zelensky pritet që të premten të takohet me Papa Françeskun në Vatikan dhe me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, në Berlin./Nacionale