Zelensky u kundërpërgjigjet kritikuesve: Ushtarët ukrainas po lëvizin përpara - NACIONALE

Zelensky u kundërpërgjigjet kritikuesve: Ushtarët ukrainas po lëvizin përpara

3 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën se ushtarët ukrainas janë duke lëvizur përpara në kundërsulmin e tyre kundër forcave ruse, duke i kundërshtuar zyrtarët perëndimorë, të cilët thonë se Ukraina po përparon shumë ngadalë.

Këtë javë, disa zyrtarë të paidentifikuar amerikanë shprehën zemërim për përparimin e ngadalshëm të kundërsulmit ukrainas dhe madje e fajësuan strategjinë e Ukrainës, sipas raportimeve perëndimore që shkaktuan zemëratë në Kiev, raporton agjencia “Reuters”.

“Forcat ukrainase janë duke lëvizur përpara. Pavarësisht nga gjithçka dhe pavarësisht se çfarë thotë ndokush, ne po përparojmë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne jemi në lëvizje”- shkroi presidenti ukrainas në rrjetin “Telegram”.

Disa kanë frikë se përkrahja e Perëndimit mund të fillojë që të dobësohet, përderisa moti më i ftohtë e më i lagësht mund ta ngadalësojë progresin në fushën e betejës më vonë këtë vit. Perëndimi ka ndarë miliarda dollarë ndihmë për ta ndihmuar kundërsulmin e Ukrainës, por Kievi thotë se i duhet edhe më shumë.

Momentumi ukrainas në fushën e betejës është fuqizuar pak në një pjesë të frontit juglindor në Zaporizhia, ku zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha të premten se trupat ukrainase kishin depërtuar nëpër vijën e parë të mbrojtjes ruse.

Shtëpia e Bardhë tha se ka pasur “sukses të dukshëm” nga Ukraina në atë pjesë, edhe pse zonja Maliar paralajmëroi se ushtarët ukrainas kishin arritur në pozicione edhe më të fortifikuara në anën tjetër, pas depërtimit.

Në përditësimin ditor, ushtria ukrainase nuk raportoi për ndonjë përparim të madh, por tha se ushtarët e saj vazhduan që të avanconin drejt Melitopolit, qendër e rëndësishme urbane, e pushtuar nga rusët në rajonin Zaporizhia.

Lajme të ngjashme