ShBA-ja thotë se kundërsulmi ukrainas pati progres të dukshëm në tri ditët e fundit - NACIONALE

ShBA-ja thotë se kundërsulmi ukrainas pati progres të dukshëm në tri ditët e fundit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina ka shënuar progres të dukshëm në kundërsulmin e saj në jug gjatë 72 orëve të kaluara, sipas një zyrtari të lartë të sigurisë në ShBA, përderisa Kievi ka thënë se ushtarët ukrainas e kishin thyer vijën e parë të mbrojtjes së rusëve në disa vende.

Në Uashington, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara kishin “vërejtur gjatë 72 orëve të fundit ose diçka ashtu ca progres të dukshëm nga forcat e armatosura ukrainase... në atë vijën jugore të avancimit që vjen nga zona e Zaporizhias”, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ata kanë arritur ca sukses kundër asaj vije të dytë të mbrojtjeve ruse”- tha Kirby, duke shtuar se i përket Ukrainës se si do ta kapitalizojë këtë sukses. Ai tha se kritikat e zyrtarëve anonimë amerikanë për kundërsulmin ukrainas nuk janë të dobishme.

“Të gjithë ne i kemi parë kritikat nga zyrtarë anonimë, të cilat sinqerisht nuk janë të dobishme. Çfarëdo vëzhguesi objektiv i këtij kundërsulmi, ju s’mund të mohoni... që ata (ukrainasit) kanë bërë progres tani”- shtoi Kirby.

Ukraina u është kundërpërgjigjur ashpër atyre që e kanë kritikuar përparimin e ngadalshëm të kundërsulmit të saj. Kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, gjatë një takimi të homologëve të tij të BE-së në Spanjë të enjten, tha se kritikuesit po pështyjnë në fytyrat e ushtarëve ukrainas dhe se u sugjeron që ta mbyllin gojën.

Ditëve të fundit, në analizat perëndimore rreth fushës së betejës në Ukrainë kanë treguar se forcat ukrainase kanë depërtuar në vijat ruse për disa kilometra mes fshatit Robotyne, që u rimor nën kontroll nga ukrainasit këtë javë, dhe fshatit Verbove në rajonin Zaporizhia.

Synimi i forcave ukrainase është që të avancojnë drejtpërdrejt deri në brigjet e Detit të Azovit për t’ia shkëputur rusëve qasjen tokësore me Gadishullin e Krimesë, që Rusia e ka aneksuar në vitin 2014.

Megjithatë, forcat ruse kanë ndërtuar pengesa të gjata e të thella në terren, përfshirë kurthet për tanke, fushat e minuara dhe mënyra të tjera të mbrojtjes, për ta ngadalësuar përparimin e ushtrisë ukrainase.

Lajme të ngjashme