Zelensky u bën thirrje Bidenit e Jinpingut që të marrin pjesë në samitin e paqes - NACIONALE

Zelensky u bën thirrje Bidenit e Jinpingut që të marrin pjesë në samitin e paqes

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje të dielën homologëve të tij nga ShBA-ja e Kina, Joe Biden e Xi Jinping që të marrin pjesë në samitin e tij të paqes, përderisa Kievi po mundohet që të sprapsë sulme të paepura nga Rusia.

Ukraina shpreson që të grumbullojë sa më shumë udhëheqës shtetesh në bisedimet e udhëhequra nga Kievi në Zvicër muajin e ardhshëm me qëllim të unifikimit të opinionit global për mënyrën se si të ndalet lufta dhe për t’ia shtuar presionin presidentit rus, Vladimir Putin, i cili nuk është ftuar për të marë pjesë, raporton agjencia “Reuters”.

Zelensky foli në një video në gjuhën angleze të incizuar në qytetin verilindor, Kharkiv, brenda mbetjeve të djegura të një shtypshkronje që ishte shkatërruar të enjten nga një sulm rus me raketë. Presidenti ukrainas tha se mbi 80 shtete do të marrin pjesë në samitin e Zvicrës.

Megjithatë, është e paqartë nëse atje do të shkojë edhe presidenti amerikan, Joe Biden. As Pekini, që mban lidhje të ngushta me Moskën, nuk ka treguar nëse do të marrë pjesë.

Një zyrtar amerikan tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në samit, por nuk tregoi se kush do të shkojë në Zvicër ose në çfarë niveli.

“Unë po u bëj apel udhëheqësve të botës që endje janë anash përpjekjeve globale të Samitit Global të Paqes – presidentit Biden, udhëheqës i Shteteve të Bashkuara, dhe presidentit Xi, udhëheqës i Kinës” – tha Zelensky.

“Ju lutem, shfaqeni lidershipin tuaj në avancimin e paqes – paqes së vërtetë dhe jo vetëm një pauzë mes sulmeve” – shtoi ai.

Më tej, presidenti ukrainas tha se ky samit do të “tregojë se kush në botë vërtet dëshiron që t’i jepet fund luftës”.

Përmes planit të saj të paqes, Ukraina bën thirrje për tërheqjen e plotë të trupave ruse dhe rikthimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Moska i ka cilësuar të papranueshme këto kërkesa.

Javën e kaluar, disa burime ruse i thanë agjencisë “Reuters” se presidenti Vladimir Putin ishte i gatshëm për ta ndalur luftën në Ukrainë me armëpushim të negociuar që do ta njihte vijën e tanishme të frontit.

Lajme të ngjashme