Zelensky thotë se zhvilloi bisedë “pozitive” me emisarët amerikanë Witkoff e Kushner - NACIONALE

Zelensky thotë se zhvilloi bisedë “pozitive” me emisarët amerikanë Witkoff e Kushner

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se pati një bisedë “pozitive” me emisarët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhe e çoi atë që e quajti gatishmëri të tyre për të punuar për një zgjidhje rreth luftës së Ukrainës në javët në vijim.

“Një bisedë shumë pozitive” – tha Zelensky në rrjetin “Telegram” për bisedën me emisarët amerikanë gjatë një ndalese në kryeqytetin moldav, Çisinau, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Mirënjohës për gatishmërinë për të punuar sa më aktivisht që është e mundshme tashmë në javët në vijim për t’i dhënë një shtytje diplomacisë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës” – shkroi ai më tej.

Zelensky po kthehej në Kiev nga bisedimet në Londër me udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë për atë se si të ecet tutje për një zgjidhje rreth luftës që ka nisur para më shumë se katër vjetëve.

Tre udhëheqësit evropianë mbështetën një propozim për një takim mes Zelenskyt dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, për sigurimin e armëpushimit dhe thanë se Evropa do të luajë një rol në këtë proces.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për konfliktin e Ukrainës, të mbikëqyrura nga Witkoff-i dhe Kushneri, kanë ngecur, kur Uashingtoni qartazi është i përqendruar te konflikti me Iranin.

Në komentet e tij, Zelensky tha se e kupton që një pjesë e madhe e vëmendjes së botës mbetet e përqendruar tek Irani, “por qëllimi ynë i përbashkët në lidhje me paqen në Evropë është në agjendë”.

Ai tha se me emisarët amerikanë e diskutoi perspektivën e bisedimeve në samitin e ardhshëm të G7-ës në Evian të Francës dhe u shprehu falënderime Shteteve të Bashkuara për “vlerësimin pozitiv të pozicionit të Ukrainës”.

Lajme të ngjashme