Zelensky thotë se shtetas kinezë po punojnë në një fabrikë dronësh në Rusi - NACIONALE

Zelensky thotë se shtetas kinezë po punojnë në një fabrikë dronësh në Rusi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të martën se shtetas kinezë janë duke punuar në një qendër për prodhimin e dronëve në Rusi dhe la të kuptohej se Moska mund të ketë “vjedhur” teknologji të dronëve nga Kina.

Udhëheqësi ukrainas i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë në Kiev disa ditë pasi tha se Kina ishte duke e furnizuar Rusinë me armë dhe barut, hera e parë që ai e akuzoi Pekinin për ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake për Moskën, diçka që Kina e ka mohuar vendosmërisht, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Minsitria e Jashtme e Ukrainës tha se e ka thirrur në takim ambasadorin kinez në Kiev, Ma Shengkun, dhe ia ka shprehur “shqetësimin serioz” të Ukrainnës për përfshirjen kineze në luftën e Rusisë kundër saj.

Më herët këtë muaj, Zelensky kishte thënë se Rusia ishte duke rekrutuar shtetas kinezë përmes rrjeteve sociale për të luftuar në forcat e saj të armatosura dhe se zyrtarë në Pekin ishin të vetëdijshëm për këtë. Ai shtoi se Kievi po mundohej që të vlerësonte nëse rekrutët ishin duke marrë udhëzime nga Pekini.

Kina e ka ripohuar mbështetjen për përpjekjet për paqe në Ukrainë dhe ka thënë se palët përkatëse duhet t’i shmangin “komentet e papërgjegjshme” si kundërpërgjigje të qartë ndaj komentit të Zelenskyt rreth pjesëmarrjes së shtetasve kinezë në luftime në anën e Rusisë.

Zelensky u tha gazetarëve të martën se ai i kishte udhëzuar zyrtarët që t’i dërgonin të dhëna qeverisë kineze përmes kanaleve zyrtare rreth të gjeturave të tyre.

“Mund të jetë që Rusia i vodhi këto teknologji, bëri një marrëveshje me këta shtetas jashtë marrëveshjeve me udhëheqësinë kineze” – deklaroi presidenti ukrainas./Nacionale

Lajme të ngjashme