Zelensky thotë se ShBA-ja e ka kërkuar shtyrjen e bisedimeve për zgjidhjen e luftës - NACIONALE

Zelensky thotë se ShBA-ja e ka kërkuar shtyrjen e bisedimeve për zgjidhjen e luftës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, citohet të ketë thënë të premten se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar një shtyrje të rundit të ri të bisedimeve trepalëshe për gjetjen e një zgjidhjeje rreth konfliktit 4-vjeçar të Ukrainës me Rusinë.

Zelensky, komentet e të cilit u cituan nga media të ndryshme ukrainase në fundin e vizitës në Francë, tha se pala amerikane kishte thënë se negociatorëve të saj nuk u lejohet largimi nga Shtetet e Bashkuara për shkak të rrethanave në Lindjen e Mesme, raporton agjencia “Reuters”.

“Amerikanët thanë se ishin të gatshëm për t’u takuar, por vetëm në Amerikë, pasi lufta [në Lindjen e Mesme] dhe situata e sigurisë ua ndalon largimin nga ShBA-ja” – citohet të ketë thënë Zelensky, sipas agjencisë shtetërore ukrainase të lajmeve, “Ukrinform”.

Sipas tij, delegacioni ukrainas është i gatshëm që të mbajë takime në Miami ose Uashington, por se Rusia e ka refuzuar propozimin dhe ka sugjeruar për takim në Turqi ose Zvicër, propozim i hedhur poshtë nga Shtetet e Bashkuara.

“Ne menjëherë thamë se ishim të gatshëm për një takim javën e ardhshme, jemi duke u përgatitur për një takim në Amerikën, në Zvicër, në Turqi, dhe madje, nëse ata nuk janë të frikësuar, në Emirate [të Bashkuara Arabe]” – citohet të ketë thënë Zelensky.

Sipas presidentit ukrainas, në fund, mbajtja e rundit të ri të bisedimeve varet nga pala amerikane. Ekipi negociues i Uashingtonit është udhëhequr nga emisari i posaçëm, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth deklaratës së Zelenskyt.

Ukraina dhe Rusia kanë zhvilluar dy runde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Emiratet e Bashkuara Arabe nga fillimi i vitit dhe një rund tjetër në Gjenevë muajin e kaluar.

Pikat kryesore të ngërçit mbeten territori dhe kërkesa e Rusisë që Ukraina të dorëzojë pjesë të rajonit të Donbasit që forcat ruse nuk i kanë pushtuar./Nacionale

Lajme të ngjashme