Zelensky thotë se Rusia po i shfrytëzon vonesat e ndihmave për Ukrainën
Vonesat e dërgimit të ndihmave nga aleatët perëndimorë në Ukrainë po hapin një derë për përparimet ruse në fushën e betejës, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke e bërë luftën “shumë të vështirë” përgjatë disa pjesëve të vijës së frontit ku forcat ruse kapën një qytet strategjik fundjavën e kaluar para përvjetorit të dytë të luftës.
Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas shpesh kanë shprehur zemërim për ngadalësinë e dërgimit të ndihmave të premtuara, sidomos që nga koha e shfaqjes së dobësive në luftë. Shtetet evropiane po kanë vështirësi për të gjetur rezerva të mjaftueshme për t’i dërguar në Kiev, ndërsa pakoja e ndihmave amerikane prej 60 miliardë dollarësh ka ngecur për shkak të dallimeve politike. Po duket se tërë kjo situatë po i shkon për shtati presidentit rus, Vladimir Putin, raporton agjencia “Associated Press”.
Sidoqoftë, Ukrainës pritet t’i shkojnë ndihma të reja. Të martën, Suedia njoftoi për ndarjen e pakos më të madhe të ndihmave deri më tani, ndërsa Kanadaja tha se ishte duke e shtyrë përpara dërgimin e mbi 800 dronëve.
Në video-adresimin e tij të hënën vonë, Zelensky tha se Rusia ka grumbulluar trupa në disa pika përgjatë vijës së frontit prej 1.500 kilometrash, mësa duket me qëllim të sulmit ndaj ndonjë dobësie të perceptuar të mbrojtjes.
“Ata (rusët) po i shfrytëzojnë vonesat në ndihmat për Ukrainën” – tha ai pas vizitës në një pikë komanduese në zonën e Kupianskut, në rajonin verilindor të Kharkivit, të hënën.
Sipas tij, trupat ukrainase po e ndiejnë fort mungesën e artilerisë, të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe të armëve me rreze të gjatë.
Forcat ukrainase u tërhoqën në fundjavë nga qyteza lindore me rëndësi strategjike, Avdiivka, ku ishin ballafaquar me sulme të ashpra ruse për katër muaj.
Megjithatë, Oleksiy Danilov, drejtor i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, tha se përderisa gjendja në fushën e betejës është e vështirë, sidomos për shkak të mungesës së municionit, situatë në frontin lindor nuk është katastrofale.
“Ne luftojmë dhe do të vazhdojmë që të luftojmë. Kemi vetëm një kërkesë ndaj partnerëve tanë: të na ndihmojnë me armë, me municion dhe me mbrojtje ajrore” – shtoi ai.
Presidenti Zelensky tha se bisedimet me partnerët e huaj janë të përqendruara se si “të vazhdohet dhe të zgjerohet” përkrahja.