Zelensky thotë se Rusia ka grumbulluar 50.000 trupa për ofensivë ndaj veriut të Ukrainës - NACIONALE

Zelensky thotë se Rusia ka grumbulluar 50.000 trupa për ofensivë ndaj veriut të Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia ka grumbulluar 50 mijë trupa afër rajonit ukrainas Sumy, por shtoi se vendi i tij ka ndërmarrë hapa për t’ia parandaluar Moskës zhvillimin e një ofensive të shkallës së lartë atje.

Grumbullimi i trupave vjen në kohën kur Rusia duket se po përgatitet për një ofensivë gjatë verës në Ukrainë, ndërsa Kievi po pret që Moska të paraqesë një memorandum ku do të përfshiheshin kushtet e saj për të vazhduar me bisedimet e paqes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sumy shtrihet matanë kufirit, ngjitur me rajonin Kursk të Rusisë, ku forcat ukrainase vitin e kaluar kapën një pjesë territori dhe me muaj e mbajtën nën kontroll, para se të dëboheshin pothuajse plotësisht muajin e kaluar, edhe pse Kievi thotë se ende mban disa zona atje.

“Forcat e tyre më të mëdha, më të forta tani për tani janë në frontin e Kurskut për t’i nxjerrë trupat tona nga rajoni i Kurskut dhe për të përgatitur aksione sulmuese kundër rajonit Sumy” – tha Zelensky para gazetarëve të martën.

Putini ka thënë se dëshiron një “zonë neutrale” përgjatë kufirit të Rusisë me Ukrainën. Zelensky tha se beson që Rusia synon një zonë neutrale prej rreth 10 kilometrash.

Rusia ka kapur të paktën katër fshatra kufitare rishtazi dhe ka qenë duke avancuar ngadalë gjatë javëve të fundit në disa pjesë të frontit në pjesën lindore të Ukrainës, afër qytetit Kostuyantynivka.

Megjithatë, Zelensky tha se rusët janë shtyrë prapa në atë zonë për katër kilometra gjatë dy ditëve.

Ukraina dhe Rusia shkëmbyen 1.000 të burgosur nga secila palë pas një takimi të delegacioneve të të dyja vendeve në Stamboll para gati dy javëve, në të cilin nuk u arrit ndonjë marrëveshje armëpushimi, siç kishin kërkuar Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Zelensky ka thënë se i sheh Turqinë, Vatikanin dhe Zvicrën si vendet më reale për vazhdimin e negociatave me Rusinë. Sipas tij, interesim për organizimin e bisedimeve kanë shprehur edhe Malta dhe disa shtete afrikane.

Agjencia “Reuters” më parë ka raportuar se Moska nuk e sheh Vatikanin si vend serioz për mbajtjen e bisedimeve. Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, ka thënë se nuk do të ishte “zgjedhje elegante” si vend për bisedimet Ukrainë – Rusi, për shkak se është vend katolik, ndërsa këto dy shtete kanë shumicë ortodokse./Nacionale

Lajme të ngjashme