Zelensky thotë se këtë vit mund të mbahen zgjedhje në Ukrainë, nëse hiqet ligji ushtarak - NACIONALE

Zelensky thotë se këtë vit mund të mbahen zgjedhje në Ukrainë, nëse hiqet ligji ushtarak

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se këtë vit mund të ketë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në vendin e tij, nëse bisedimet sjellin përfundim të “fazës së nxehtë” të luftës me Rusinë, duke e lejuar shfuqizimin e ligjit ushtarak.

Duke folur në një intervistë të transmetuar në televizionin ukrainas të enjten vonë, Zelensky tha se pozicioni i Ukrainës pas çfarëdo marrëveshjeje për luftën e tanishme kundër trupave pushtuese ruse do të përcaktojë nëse zgjedhjet e shtyra për një kohë të gjatë mund të mbahen apo jo, raporton shërbimi në gjuhën angleze i Radios “Evropa e Lirë”.

“Kur bëhet fjalë për vitin 2025, nëse e arrijmë fundin e fazës së nxehtë të luftës për Ukrainën, porsa ta arrijmë këtë bashkë me një ushtri të fortë, me një pako të fortë armësh dhe me garancione të forta të sigurisë, atëherë ato [zgjedhjet] do të mbahen” – tha presidenti ukrainas në intervistën në të cilën u shoqërua edhe nga bashkëshortja e tij, Olena.

“Pas kësaj, në parim, ne mund të mendojmë për heqjen e ligjit ushtarak në Ukrainë. Porsa të marrë fund ligji ushtarak, atëherë topi është në fushën e Kuvendit – Kuvendi pastaj zgjedh një datë për zgjedhje... Mendimi im është se nuk ka nevojë të kalohen vjet në pritje [të zgjedhjeve], porsa ligji ushtarak të marrë fund” – shtoi ai.

Mandati 5-vjeçar i Zelenskyt në krye të vendit duhej të përfundonte më 20 maj të vitit të kaluar, në një situatë normale.

Zelensky nuk tregoi nëse do të synojë mandat të ri si president. “Nëse bëj më shumë se që mundem, atëherë ndoshta do ta shikoj këtë vendim më pozitivisht. Sot, ky nuk është qëllimi im” – tha ai.

Lajme të ngjashme