Raportohet për viktima në lindje e sulme në Kiev
Bota duhet të përgatitet për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia, thotë Zelensky
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se të gjitha shtetet e botës duhet të jenë gati për mundësinë që presidenti rus, Vladimir Putin, të përdorë armë bërthamore.
Duke folur në një intervistë për televizionin amerikan, “CNN”, Zelensky gjithashtu tha se Putini mund të jetë i përgatitur edhe për përdorimin e armëve kimike kundër Ukrainës.
Drejtori i CIA-s paralajmëroi këtë javë se dëshpërimi i mundshëm i Putinit pas ngecjeve ushtarake mund ta nxisë atë që të përdorë armë bërthamore taktike në Ukrainë.
I pyetur nëse ai është i shqetësuar për mundësinë e një sulmi bërthamor, ai tha: “Jo vetë unë – e tërë bota, të gjitha vendet e botës duhet të brengosen.”
Presidenti ukrainas shtoi: “Armët kimike, ata do të mund ta bënin këtë. Për ta, jeta e njerëzve nuk është asgjë. Për këtë arsye. Ne duhet të mendojmë, jo të frikësohemi. Jo të frikësohemi, por të jemi gati.”
Ukraina thotë se të shtunën hapen nëntë korridore humanitare
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, ka konfirmuar se është arritur marrëveshje për nëntë korridore humanitare për të shtunën që të mundësohet evakuimi i civilëve.
Ajo tha se përsëri do të bëhet përpjekje për hapjen e një rruge evakuimi për qytetin Mariupol, i cili është përballur me sulme të pamëshirshme ruse që nga fillimi i luftës.
Zyrtarja e lartë bëri të ditur se ata që ende kanë mbetur në qytetin e rrethuar jugor, do të mund të largohen me vetura private.
Pesë nga nëntë korridoret e evakuimit të shtunën do të hapen në rajonin Luhansk, në lindje të Ukrainës.
Përmbledhje zhvillimesh: Sulme e viktima në lindje; ShBA-ja thotë se luftanija ruse është sulmuar nga Ukraina
-Të paktën dy ukrainas janë vrarë gjatë natës së kaluar nga sulmet ajrore ruse në qytetet lindore ukrainase. Zyrtarët raportuan për pasoja në njerëz në Poltava, Severodonetsk dhe Lysychansk, raportuan mediet lokale.
-Ekipet e shpëtimit dhe mjekët janë në vendin e ngjarjes, ku ka ndodhur një sulm ajror në periferi të Kievit. Kryetari i kryeqytetit ukrainas tha se, deri tash, nuk dihet për pasojat në njerëz dhe u bëri thirrje banorëve që të mos i shpërfillin sirenat e alarmit.
-Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se rreth 2.500 deri në 3.000 ushtarë ukrainas janë vrarë nga fillimi i luftës, ndërsa rreth 10.000 të tjerë janë lënduar. Në një intervistë për televizionin “CNN”, ai tha se, në anën tjetër, 19.000 deri në 20.000 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani.
-Ukraina ka pretenduar se kapiten i luftanijes ruse, “Moskva”, është vrarë gjatë sulmit për ta fundosur anijen. Anton Gerashchenko, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Ukrainës, tha se kapiteni Anton Kuprin vdiq gjatë shpërthimit dhe zjarrit në luftanijen ruse.
-Mediet amerikane kanë raportuar se zyrtarë të lartë të mbrojtjes në ShBA kanë konfirmuar se luftanija ruse, “Moskva”, është shkatërruar nga sulmi ukrainas me raketa.
-Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe disa zyrtarë të lartë ukrainas të financave do ta vizitojnë Uashingtonin javën e ardhshme. Ata pritet që të zhvillojnë takime me zyrtarët e vendeve të Grupit G7 dhe të marrin pjesë në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga Banka Botërore për luftën në Ukrainë.
-Qeveria gjermane ka thënë se planifikon që të ndajë më shumë se një miliard euro për ndihma ushtarake për Ukrainën.
-Më shumë se 900 trupa të civilëve janë gjetur në rajonin përreth Kievit pas tërheqjes së forcave ruse, ka thënë policia ukrainase. Pothuajse të gjithë ishin të qëlluar për vdekje me armë zjarri, duke lënë të kuptohet se janë ekzekutuar gjatë pushtimit rus, pretenduan forcat e sigurisë.
-Presidenti ukrainas i ka bërë apel homologut amerikan, Joe Biden, që ta cilësojë zyrtarisht Rusinë si shtet sponsorizues i terrorizmit, sipas raportimi të gazetës “The Washington Post”.
Kryeministri i Ukrainës do ta vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe disa zyrtarë të lartë ukrainas të financave do të vizitojnë Uashingtonin javën e ardhshme gjatë takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, thanë të premten burimet me njohuri për këtë vizitë.
Shmyhal-i, ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko, dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Ukrainës, Kyrylo Shevchenko, pritet që të zhvillojnë takime dypalëshe me zyrtarët e financave të shteteve të Grupit G7 dhe të vendeve të tjera dhe të marrin pjesë në një tryezë të rrumbullakët për Ukrainën, e cila do të organizohet të enjten nga Banka Botërore, thanë burimet.
Tubimi i së enjtes do të jetë mundësia e parë për zyrtarët kyç ukrainas që të takohen fizikisht me një grup zyrtarësh financiarë të ekonomive të avancuara që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, shkruan agjencia “Reuters”.
Pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë pritet që të mbizotërojnë në diskutimet e takimeve javën e ardhshme të zyrtarëve të lartë ekonomikë nga vendet anëtare të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Grupit G7 dhe Grupit G20. Pritet që FMN-ja ta ulë parashikimin për rritje globale si rezultat i luftës.
Takimi i së enjtes do të jetë më shumë tryezë e rrumbullakët sesa konferencë donatorësh, edhe pse FMN-ja dhe Banka Botërore kanë hapur llogari për të qenë në gjendje që t’i trajtojnë dhe t’i transferojnë donacionet. Pritet që të ketë njoftime edhe për zotime shtesë javën e ardhshme.
Ky takim do t’u japë zyrtarëve mundësi që të diskutojnë për shkatërrimin fizik dhe për pasojat ekonomike të luftës si dhe për funksionimin e vazhdueshëm të sektorit bankar dhe financiar të Ukrainës. “Pa përkrahje tash, nuk do të ketë rindërtim në të ardhmen”, tha njëri nga burimet.
Banka Botërore nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm për këtë ngjarje. Sidoqoftë, presidenti i kësaj banke, David Malpass, tha këtë javë në Varshavë se Banka Botërore është duke përgatitur një pako ndihme prej 1.5 miliard dollarësh për Ukrainën.
Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar e miratoi javën e kaluar krijimin e një llogarie të re për t’u dhënë një mënyrë të sigurt donatorëve dypalësh dhe grupeve ndërkombëtare që të dërgojnë burime financiare në Ukrainë.
Kanadaja, njëra nga përkrahëset kryesore të Ukrainës, ka propozuar që të paguajë deri në 1 miliard dollarë kanadezë përmes llogarisë së re, e cila do të administrohet nga FMN-ja./Nacionale
Raportohet për viktima në lindje e sulme në Kiev
Ka raportime për pasoja në njerëz nga sulmet ruse në pjesën lindore të Ukrainës dhe pasoja të mundshme edhe në kryeqytetin Kiev. Mediet lokale raportuan për shpërthime në Lviv dhe Kiev të shtunën herët në mëngjes.
Mediet lokale kanë raportuar për pasoja në njerëz në Poltava, Severodonetsk dhe Lysychansk për shkak të bombardimeve ruse, sipas “Kyiv Independent”. Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai, tha se një person është vrarë, tre janë plagosur dhe një gazsjellës ka shpërthyer si pasojë e bombardimeve ruse në Severodonetsk dhe Lysychansk.
Edhe Kievi është sulmuar, raportoi kryetari i këtij qyteti, Vitali Kliçko, para disa minutave në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin “Telegram”.
“Shpërthimet ndodhën në distriktin Darnytskyi, në periferi të qytetit. Ekipet e shpëtimit dhe mjekët janë tash për tash duke punuar në vendin e ngjarjes. Po sqaron të dhënat për viktimat”, tha ai.
“Edhe një herë, i bëj apel secilit: ju lutem, mos i shpërfillni alarmet e sirenave! Dhe ata banorë të Kievit, që janë larguar më herët dhe tashmë po kthehen në kryeqytet, ju kërkoj që të përmbaheni nga kjo dhe të qëndroni në vende më të sigurta”, shtoi ai.
Sirenat e alarmit përsëri po dëgjohen në qytete dhe rajone të ndryshme të Ukrainës, përfshirë Kharkivin, Zaporizhian, Donetskun, Kryvyi Rihun dhe Dnipropetrovskin.
Zelensky raporton për rreth 3.000 ushtarë ukrainas të vrarë nga fillimi i luftës, ashpërsohen luftimet në Mariupol
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se deri në 3.000 ushtarë ukrainas janë vrarë që nga fillimi i sulmeve ruse ndaj vendit të tij më 24 shkurt, ndërsa ende nuk ka shifër të përgjithshme për viktimat civile. Ndërkohë luftimet u shpeshtuan në betejën për qytetin e Mariupolit.
Zelensky tha se situata ushtarake në jug dhe në lindje ende është shumë e vështirë, duke e çmuar punën e forcave të armatosura. “Sukseset e ushtrisë sonë në fushëbetejë janë vërtet domethënëse, historikisht domethënëse. Por ato ende nuk janë të mjaftueshme për ta pastruar tokën tonë nga pushtuesit”, tha ai në fjalimin e publikuar të premten vonë, duke bërë thirrje përsëri që aleatët t’i dërgojnë armë të rënda Ukrainës dhe të vendoset embargo ndërkombëtare ndaj naftës ruse.
Duke folur për televizionin amerikan, “CNN”, presidenti ukrainas vlerësoi se rreth 10.000 ushtarë ukrainas janë lënduar deri më tani në luftë, ndërsa deri në 20.000 ushtarë rusë kanë vdekur. Muajin e kaluar, Moska raportoi për vetëm 1.351 ushtarë rusë të vrarë dhe 3.825 të plagosur. Ende nuk ka mundësi që të vërtetohen në mënyrë të pavarur raportimet e të dyja palëve.
Forcat ukrainase mbeten të përgatitura për hakmarrjen e ushtrisë ruse pas fundosjes së luftanijes “Moskva”, që ishte krenaria e flotës ruse të Detit të Zi. Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë konfirmuar se luftanija është fundosur pas sulmit me raketë nga forcat ukrainase. Qeveria ukrainase ka thënë se e ka shkatërruar luftanijen ruse duke e goditur me dy raketa anti-anije të tipit “Neptune”, raporton “The Guardian”, përkthen Gazeta Nacionale.
Zelensky i ka bërë apel homologut amerikan, Joe Biden, që Shtetet e Bashkuara ta vendosin Rusinë në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, ku ndodhen Koreja Veriore, Kuba, Irani dhe Siria, raportoi gazeta amerikane, “The Washington Post”, duke cituar persona me njohuri për bisedën mes dy presidentëve. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj duke thënë: “Ne do të vazhdojmë që t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet për ta rritur presionin ndaj Putinit.”
Raportohet se Rusia këtë javë i dërgoi një paralajmërim formal Shteteve të Bashkuara që të mos i dërgojë më shumë armë Ukrainës, ndryshe do të ballafaqohej, siç thuhet, me pasoja të paparashikueshme. Në notën diplomatike thuhet se dërgesat e ShBA-së dhe NATO-s me sistemet “më të ndjeshme” të armatimit në Ukrainë “po i qesin benzinë” konfliktit./Nacionale