Zelensky thotë se gati 15.000 rusë janë vrarë në rajonin Kursk
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se Rusia ka pësuar humbje të rënda në pesë muaj luftime kundër forcave ukrainase në rajonin jugperëndimor rus të Kurskut, me gati 15 mijë të vrarë.
“Gjatë operacionit në Kursk, armiku tashmë ka humbur 38 mijë ushtarë vetëm në këtë drejtim, me 15 mijë prej këtyre humbjeve si të pakthyeshme” – tha Zelensky në video-adresimin e tij të përnatshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në komentet e tij, Zelensky nuk ofroi dëshmi për shifrat që i përmendi rreth humbjeve ruse.
Ukraina nisi një operacion masiv në rajonin Kursk në gusht dhe ka marrë nën kontroll disa pjesë të atij rajoni, edhe pse ushtria ruse ka thënë se ka rikapur një pjesë të madhe të territorit të pushtuar.
Ukraina tha se nisi një ofensivë të re në Kursk të dielën, por ka dhënë pak hollësi rreth saj.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se forca ruse kishin shënuar fitore të rëndësishme në lindje të Ukrainës, përfshirë kapjen e qytezës Kurakhove.
Zelensky nuk e përmendi Kurakhoven në komentet e tij. Ai tha se forcat ukrainase kishin ndërtuar një zonë neutrale në rajonin Kursk, ku Rusia kishte transferuar njësite të fuqishme ushtarake, dhe se ia kishte parandaluar Moskës dislokimin e atyre njësiteve në zona kyçe të vijës së frontit në lindje të Ukrainës.