Zelensky thotë se fundi i luftës është më afër sesa që mendohet - NACIONALE

Zelensky thotë se fundi i luftës është më afër sesa që mendohet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se lufta me Rusinë është “më afër një fundi” sesa që besojnë shumë njerëz, duke u bërë thirrje aleatëve që ta fuqizojnë ushtrinë e vendit të tij.

“Plani i fitores është fuqizim i Ukrainës. Për këtë arsye, ne po kërkojmë nga miqtë tanë, aleatët tanë, që të na fuqizojnë. Është shumë e rëndësishme” – tha Zelensky në një intervistë për emisionin “Good Morning America”, raporton “ABC News”.

“Mendoj se jemi më afër paqes se që mendojmë. Jemi më afër fundit të luftës. Ne vetëm duhet të jemi shumë të fortë, shumë të fortë” – shtoi presidenti ukrainas.

Zelensky po qëndronte të hënën në Nju-Jork për të marrë pjesë këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si pjesë e udhëtimit të ShBA, ku ka premtuar se homologut amerikan, Joe Biden, do t’ia paraqesë atë që e quan “plani i fitores”.

Presidenti ukrainas në mënyrë të përsëritur u ka bërë apel Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe që t’ia heqin kufizimet Ukrainës rreth përdorimit të raketave me rreze të gjatë për të goditur caqe thellë brenda Rusisë.

Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se përdorimi i armëve perëndimore për të sulmuar caqe ruse do të shihej si eskalim serioz në luftë dhe sfidë e drejtpërdrejtë nga vendet e NATO-s.

Zelensky tha në intervistë se Putini është “i frikësuar” nga operacioni i forcave ukrainase në Kursk të Rusisë. “Është e vërtetë. Ai është i frikësuar shumë. Pse? Sepse njerëzit e tij panë se ai nuk mund të mbrohet, se nuk mund ta mbrojë tërë territorin e tij” – shtoi ai./Nacionale

Lajme të ngjashme