Zelensky thotë se është i gatshëm për bisedime të drejtpërdrejta me Putinin - NACIONALE

Zelensky thotë se është i gatshëm për bisedime të drejtpërdrejta me Putinin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në një intervistë të publikuar të martën se ai do të pajtohej për bisedime të drejtpërdrejta me homologun rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës që nisi para gati tre vjetëve.

Komentet e tij vijnë në kohën kur ka pritje të mëdha që bisedimet të fillojnë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i cili është zotuar për t’i dhënë fund luftës, është kthyer në pushtet në Shtëpinë e Bardhë, raporton “France24”.

Intervista e Zelenskyt me gazetarin britanik, Piers Morgan, u publikua në platformën “YouTube”.

Kur u pyet se si do të ndihej, nëse do të ulej përballë Putinit në tavolinën e bisedimeve, Zelensky tha: “Nëse ajo do të ishte forma e vetme me të cilën mund t’u sjellim paqe qytetarëve të Ukrainës dhe të mos humbim njerëz, ne definitivisht do të shkojmë për këtë formë”, duke shtuar se ai do të ishte me “katër pjesëmarrës”.

Zelensky nuk saktësoi se kush do të ishin pjesëmarrësit, por gazetari Morgan më herët foli për bisedime hipotetike mes Rusisë, Ukrainës, BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

“Nuk do të jem i mirë me të, e konsideroj atë armik. Të jem i sinqertë, mendoj se edhe ai më konsideron mua armik” – tha presidenti ukrainas.

Putini tha javën e kaluar se Moska do të zhvillonte bisedime me Ukrainën, por i përjashtoi bisedimet e drejtpërdrejta me Zelenskyn.

Të dyja shtetet janë përpjekur që me ngut të sigurojnë përparësi në fushën e betejës para bisedimeve të mundshme, të cilat deri më tani mbeten hipotetike.

Kievi është ballafaquar me vështirësi për t’i sprapsur forcat ruse dhe Zelensky pranoi se Ukraina ka pak gjasa që t’i kthejë plotësisht nën kontroll territoret e humbura.

“Për keqardhje, përkrahja që ofrohet nga partnerët tanë është e pamjaftueshme për ta larguar Putinin plotësisht nga territoret tona” – tha ai.

Lajme të ngjashme