Zelensky thotë se do t’i paraqesë ShBA-së një plan për përfundimin e luftës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do t’u paraqesë Shteteve të Bashkuara një plan për atë se si ai synon që t’i japë fund luftës me Rusinë.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, ai tha se do t’u paraqesë një plan kandidatëve për president të ardhshëm të ShBA-së, Kamala Harris e Donald Trump, si dhe kreut të tanishëm të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, raporton televizioni BBC.
Sipas tij, në plan do të përfshihen hapa në aspektet diplomatike dhe ekonomike, ndaras nga sulmi ukrainas në Kursk të RUsisë, që gjithashtu ka qenë pjesë e një strategjike për ta detyruar Moskën që të ulet në tavolinën e bisedimeve.
Zelensky tha gjithashtu në konferencë se vendi i tij e kishte kryer testin e parë të një rakete balistike të prodhuar në Ukrainë.
Forcat ukrainase tashmë kanë përdorur disa raketa balistike kundër Rusisë që i ishin dhuruar nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë raportohet se ka vdekur personi i pestë nga sulmet e fundit të Rusisë në Ukrainë. Drejtori i administratës rajonale në Zaporizhia, Ivan Federov, tha se një grua e moshuar vdiq në spital, pasi kishte pësuar “djegie të rënda”.
“Mjekët luftuan për jetën e saj për disa orë, por nuk mund ta shpëtonin” – shtoi Federovi.
I njëjti zyrtar më herët kishte raportuar për katër të vdekur e 16 të lënduar në pjesë të ndryshme të Ukrainës si pasojë e sulmeve ruse. Presidenti Zelensky i dha shifrat e njëjta të martën./Nacionale