Zelensky të hënën në Paris, për herë të nëntë që nga fillimi i luftës - NACIONALE

Zelensky të hënën në Paris, për herë të nëntë që nga fillimi i luftës

3 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do ta presë të hënën në Paris homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, në atë që do të jetë vizita e tij e nëntë në shtetin e Evropës Perëndimore që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 2022.

Në takimin mes dy presidentëve do të synohet shfrytëzimi i momentumit sa i përket ndihmës për Ukrainën pas një takimi të aleatëve të Koalicionit të Vullnetit muajin e kaluar, tha zyra e presidentit francez.

Franca dhe Britania e udhëheqin grupin Koalicioni i Vullnetit, i cili përbëhet nga shtete që e mbështesin Ukrainën. Në takimin e fundit të këtij grupi më 24 tetor, aleatët evropianë të Kievit thanë se asetet e ngrira ruse duhet të shfrytëzohen shpejt për ta financuar përkrahjen për Ukrainën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të enjten se përdorimi i aseteve të ngrira ruse për të financuar një hua të re është “mënyra më efikase” për financimin e Ukrainës, raporton mediumi "France24".

Komisioni Evropian ka paraqitur një plan për përdorimin e aseteve të Bankës Qendrore të Rusisë, të bllokuara në Belgjikë, për të gjeneruar një “hua dëmshpërblimi” prej 140 miliardë dollarësh për Ukrainën. Zonja Von der Leyen tha se, sipas këtij plani, BE-ja do t’i jepte Ukrainës një hua që do ta kthente, “nëse Rusia i paguan dëmshpërblimet”.

Ky propozim deri më tani është kundërshtuar në mënyrë të palëkundur nga Belgjika, e cila ka frikë se mund të ballafaqohet me pasoja ligjore nga Moska.

Macroni dhe Zelensky në takim do të diskutojnë edhe për bashkëpunimin dypalësh në fusha si energjia, ekonomia dhe mbrojtja./Nacionale

Lajme të ngjashme