Zelensky shkarkon dy ministra të dyshuar në skemën e ryshfetit, kërkon sanksione kundër mikut të vet - NACIONALE

Zelensky shkarkon dy ministra të dyshuar në skemën e ryshfetit, kërkon sanksione kundër mikut të vet

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ndërmarrë masa pas zemërimit në rritje të publikut në vend për shkak të një skandali të korrupsionit në sektorin e energjisë duke shkarkuar dy ministra që po akuzohen për përfshirje në një skemë të ryshfetit të shkallës së lartë.

Zelensky tha se ministri i Drejtësisë, Herman Halushchenko, dhe ministrja e Energjisë, Svitlana Grynchuk, nuk mund t’i mbajnë më postet e tyre. Ai gjithashtu bëri thirrje për sanksione personale kundër mikut të tij dhe ish-partnerit në biznes, Timur Mindich, i cili dyshohet për organizimin e skemës me ryshfete, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke e pranuar zemërimin e popullit, Zelensky tha: “Duhet të ketë integritet maksimal në sektorin e energjisë, absolutisht në të gjitha proceset. Unë e mbështes secilin hetim të kryer nga organet e sundimit të ligjit dhe zyrtarët kundër korrupsionit.

Pasi premtoi llogaridhënie në lidhje me ata që e shkelin ligjin, ai shtoi: “Tani për tani, është tepër vështirë për secilin në Ukrainë – duke përjetuar ndërprerje të rrymës, sulme ruse e humbje. Është absolutisht e papranueshme që, në mesin e tërë kësaj, janë gjithashtu disa skema [korruptive] në sektorin e energjisë.”

Afera po shndërrohet në një krizë politike domethënëse për presidentin. Aktivistë kundër korrupsionit, politikanë të opozitës dhe veteranë të ushtrisë i kanë bërë thirrje Zelenskyt që të ndërmarrë veprime vendimtare, edhe nëse ato do t’i nënkuptonin shkarkimin dhe burgosjen e njerëzve që janë personalisht të njohur për të.

Rasti shpërtheu pas një hetimi 15-mujor nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit ndaj kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore, “Energoatom”. I dyshuari kryesor, Mindich, është biznesmen dhe bashkëthemelues i “Kvartal 95”, që është kompani mediale e Zelenskyt.

Thuhet se Mindich është larguar nga vendi dhe ka gjasa që ka shkuar në Izrael, disa orë para se hetuesit të arrinin te banesa e tij në Kiev për të kryer një bastisje. Ai më parë ishte i afërt me Zelenskyn, edhe pse burimet thonë se dy figurat kanë pasur pak komunikim që nga fillimi i luftës.

Pjesë e hetimit në skemën e dyshuar të korrupsionit prej 100 milionë dollarësh janë shtatë të dyshuar. Sipas kësaj skeme, dyshohet se palët bashkëpunuese të kompanisë “Energoatom” ishin detyruar që të paguanin ryshfet prej 10 deri në 15 për qind për t’i shmangur pagesat për shërbimet e bllokuara ose për të mos e humbur statusin e tyre të furnizuesit, sipas Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit./Nacionale

Lajme të ngjashme