Zelensky: Rusia po i përdor anijet e naftës për mbledhje inteligjence e sabotim - NACIONALE

Zelensky: Rusia po i përdor anijet e naftës për mbledhje inteligjence e sabotim

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e akuzoi të martën Rusinë se po i shfrytëzon anijet transportuese të naftës për mbledhje të të dhënave të inteligjencës dhe për operacione të sabotimit.

Duke shkruar në rrjetin “Telegram” pasi kishte pranuar një raport informues nga shefi i inteligjencës së jashtme të Ukrainës, Zelensky tha se vendi i tij po bashkëpunon me aleatët në këtë çështje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Tani për tani, rusët po i përdorin anijet transportuese të naftës jo vetëm për të fituar para për luftën, por gjithashtu për zbulim dhe madje për aktiviteti sabotuese. Është tërësisht e mundshme që të ndalet kjo” – shkroi presidenti ukrainas.

Duke folur më vonë në video-adresimin tradicional të mbrëmjes, Zelensky tha se shefi i inteligjencës së jashtme ukrainase, Oleh Ivashchenko, tregoi në raportin e tij se si Rusia po i përdor anijet transportuese të naftës nga “flota në hije” e saj për të “kryer sabotim dhe operacione destabilizuese në Evropë”.

“Rastet e fundit të lëshimit të dronëve nga anijet transportuese janë vetëm një shembull i tillë” – tha më tej ai.

“Ne po e ndajmë këtë informatë me partnerët dhe është e rëndësishme që kundërpërgjigjja e tyre ndaj Rusisë të jetë e vërtetë” – shtoi presidenti ukrainas.

Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, tha të martën se forcat e vendit të tij kanë kapur gati 5.000 kilometra katrorë në Ukrainë vetëm gjatë vitit 2024 dhe se ushtria ruse po e mban iniciativën e plotë strategjike në fushën e betejës.

Në një takim me komandantë të lartë ushtarakë, Putini tha se forcat ukrainase po mundohen që të sulmojnë thellë brenda territorit të Rusisë, por se një gjë e tillë nuk do t’u ndihmojë që ta ndryshojnë situatën./Nacionale

Lajme të ngjashme