Zelensky pranon se trupat ruse kanë avancuar, por thotë se Ukraina do ta refuzojë dorëzimin e Donbasit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vendi i tij do të refuzojë çfarëdo propozimi rus për ta dorëzuar rajonin e Donbasit në këmbim të armëpushimit, duke paralajmëruar se ajo pjesë do të mund të përdorej si trampolinë për sulme në të ardhmen.
Zelensky foli para një takimi mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin, të premten në Alaskë, raporton televizioni BBC.
Trumpi ka thënë se marrëveshja e paqes do të përfshinte “ca shkëmbim territoresh” dhe besohet se njëra nga kërkesat e Putinit është që Kievi të dorëzojë pjesë të Donbasit që i ka ende nën kontroll.
Ndërkohë, trupat ruse e kanë vazhduar ofensivën e tyre verore, duke bërë një depërtim të papritur afër qytezës lindore Dobropillia dhe duke avancuar për 10 kilometra brenda një periudhe të shkurtër.
Zelensky pranoi se avancimi i trupave ruse ka ndodhur në “disa pika”, por shtoi se forcat ukrainase së shpejti do t’i shkatërrojnë njësitet ruse të përfshira në sulm.
Duke e minimizuar avancimin e Rusisë, ai shtoi se është “e qartë për ne” se objektivi i Rusisë është që të krijojë një “hapësirë të caktuar informimi” para se Putini të takohet me Trumpin se “Rusia është duke lëvizur përpara, duke avancuar, ndërsa Ukraina është duke humbur”.
Asnjë hollësi zyrtare nuk ka dalë në lidhje me atë se çfarë kërkesash mund të bëjë Putini, kur të takohet me homologun amerikan të premten.
Donbasi, i cili përbëhet nga rajonet lindore të Luhanskut dhe Donetskut, ka qenë pjesërisht i pushtuar nga Rusia që nga viti 2014.
Forcat ruse tani i kanë nën kontroll pothuajse tërë Luhanskun dhe rreth 70 për qind të territorit të Donetskut, por Zelensky tha se Ukraina do të refuzojë çfarëdo propozimi për t’u tërhequr nga Donbasi.
“Nëse ne tërhiqemi nga Donbasi sot, fortifikatat tona, terreni ynë, zonat e larta që ne i kontrollojmë – ne sigurisht se do të hapim një kryeurë që trupat ruse të përgatisin një ofensivë” – tha ai.
Zelensky më parë ka këmbëngulur se ukrainasit “nuk do t’ia bëjnë dhuratë tokën e tyre pushtuesit” dhe e ka cituar kushtetutën e vendit, në të cilën kërkohet mbajtja e referendumit para ndryshimit të kufijve.
Në adresimin e tij të mbrëmjes të martën, ai tha gjithashtu se Rusia është duke përgatitur ofensiva të reja në tri pjesë të frontit – Zaporizhia, Pokrovsk dhe Novopavlov./Nacionale