Zelensky: Po të kishim armë më të mira, do ta kishim përfunduar luftën
Në një adresim të ri para popullit të tij, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nëse Ukraina do të kishte armë më të mira, të krahasueshme me ato që i përdor Rusia, tashmë do ta kishte përfunduar luftën.
“Në të gjitha intervistat dhe bisedat e mia me udhëheqësit e botës demokratike, është e padrejtë që Ukraina ende detyrohet ta kërkojë atë që partnerët e kanë mbajtur në depo me vjet”, tha ai.
Sipas tij, nëse këto shtete i kanë armët dhe municionin për të cilat ka nevojë Ukrainë, është detyrë e tyre morale që të ndihmojnë për ta mbrojtur lirinë dhe për ta shpëtuar jetën e mijëra ukrainasve.
Ai shtoi se nëse vendi i tij do t’i marrë armët që i janë premtuar në javët e ardhshme, do ta shpëtojë jetën e mijëra njerëzve, raporton televizioni “BBC”.
Zelensky gjithashtu tha se intensiteti i të shtënave ruse në Kharkiv dhe në rajonin e Dnipropetrovskit është rritur, duke i vënë në shënjestër edhe strukturat civile.
“Fati i dhjetëra mijëra banorëve të Mariupolit, që janë vendosur në territoret e kontrolluara nga Rusia, nuk dihet”, tha Zelensky.
Deklarata e tij erdhi pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka lëshuar një ultimatum të ri për trupat ukrainase në Mariupol që t’i ulin armët.