Zelensky në Poloni, merr premtime për më shumë avionë luftarakë
Përderisa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vizituar Poloninë, mikpritësit e tij kanë premtuar të dërgojnë më shumë avionë luftarakë në Ukrainë.
Presidenti Andrzej Duda ka njoftuar se do të dërgonte flotën e mbetur të avionëve MiG-29 të Polonisë "nëse ka ende një nevojë të tillë".
Vizita e Zelenskyt në Poloni erdhi pas komenteve të presidentit rus Vladimir Putin i cili akuzoi shërbimet e inteligjencës perëndimore për përfshirje në sulme terroriste ndaj Rusisë.
Edhe pse duke folur në këshillin e sigurisë të Kremlinit, Putin nuk dha asnjë prove për pretendimet e tij, ai tha se: "Ka çdo arsye për të thënë se burimet e vendeve të treta, shërbimet e inteligjencës perëndimore, janë të angazhuara në përgatitjen e sabotimeve dhe akteve të tilla terrorizmi".
Zelensky mbërriti në Varshavë mëngjesin e së mërkurës - duke shënuar vizitën e tij të parë zyrtare në Poloni që nga pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar.
Kujtojmë se Polonia ka qenë një aleat kyç në mbështetjen e Ukrainës dhe është në përpjekje të vazhdueshme për furnizime me armë për fqinjin e saj, duke u bërë edhe vendi i parë që premtoi tanke Leopard 2 në Ukrainë, ndërsa të mërkurën angazhoi më shumë avionë luftarakë të epokës sovjetike MiG-29.
Presidenti Duda përsëriti se vendi e mbështet fuqimisht aplikimin e Kievit për t'u bashkuar me NATO-n dhe tha se ai po përpiqej të merrte "garanci shtesë, garanci sigurie, të cilat do të forcojnë potencialin ushtarak të Ukrainës".
Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se që Ukraina të bashkohet me NATO-n, vendi duhet të jetë i pavarur dhe demokratik - dy kritere që aktualisht nuk mund të përmbushen si rezultat i pushtimit rus.
Dihet se presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur më parë dëshirën e Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n si një justifikim për pushtimin.
Rikujtojmë se para vizitës së Zelenskyt në Poloni, ministri i bujqësisë i Polonisë dha dorëheqjen pas ankesave të fermerëve për grurin e lirë ukrainas.

