Zelensky i kërkon Perëndimit sanksione të reja ndaj Rusisë pas sulmit të madh ndaj Kievit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve të vendit të tij që ta përshpejtojnë vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë pas një vale tjetër të madhe ndaj Kievit, ku u vranë dy njerëz e u plagosën disa të tjerë.
“Sanksionet duhet të vendosen më shpejt dhe presioni ndaj Rusisë duhet të jetë mjaftueshëm i fortë, saqë ata vërtet t’i ndiejnë pasojat e terrorit të tyre” – tha presidenti ukrainas në rrjete sociale. Forca ajrore ukrainase tha se Rusia hodhi 400 dronë e 18 raket në pjesë të ndryshme të Ukrainës në orët e hershme, raporton gazeta “The Guardian”.
Për disa orë, shpërthime të forta u dëgjuan në Kiev. Disa prej tyre ishin nga përpjekjet e sistemeve të mbrojtjes ajrore për t’i rrëzuar dronët. Banorët u strehuan në stacionin nëntokësor të hekurudhës, në nënkalime dhe bodrume.
Ky sulm ndodhi një ditë pasi forcat ruse e goditën Ukrainën me sulmin më të madh me dronë e raketa në më shumë se tre vjet luftë, duke vrarë të paktën një civil, dhe pas një sulmi të madh ndaj Kievit javën e kaluar.
“Gjatë netëve si këto, ju mendoni se sa e padurueshme është kjo, por në mëngjesin e hershëm, bleni një kafe dhe hamendësoheni nëse kjo ishte krejt ëndërr” – tha në rrjete sociale gazetarja ukrainase, Kristina Berdynskykh.
Zelensky pritet të zhvillojë takime të reja me zyrtarë amerikanë të enjten në një konferencë kushtuar rimëkëmbjes së Ukrainës, tha kryediplomati ukrainas. “Fokusi kryesor do të jetë te politika e sanksioneve dhe zbatimi i pakos së ardhshme të sanksioneve të ShBA-së në të ardhmen e afërt” – shkroi në rrjetin “Telegram” të mërkurën ministri Andrii Sybiha.