Zelensky i bën thirrje Trumpit që të jetë në anën e Ukrainës: Putini s’i frikësohet Evropës - NACIONALE

Zelensky i bën thirrje Trumpit që të jetë në anën e Ukrainës: Putini s’i frikësohet Evropës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë në një intervistë në televizionin “Fox News” se vendi i tij ka nevojë për garanci më të gjera të sigurisë dhe se homologu i tij rus, Vladimir Putin, nuk i frikësohet Evropës. Zelensky i bëri thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të jetë në anën e Ukrainës.

“Ne duam që ai (Trumpi) të jetë në anën e drejtësisë, në anën e Ukrainës. Putini nuk frikësohet nga Evropa” – tha presidenti ukrainas në intervistën e transmetuar të martën në mbrëmje.

Zelensky shtoi se Ukraina nuk mund ta njohë pushtimin e Rusisë, por se parapëlqen një zgjidhje diplomatike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtëpia e Bardhë nuk pati koment të menjëhershë.

Pas fillimit të pushtimit rus, Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e ish-presidentit Joe Biden, u zotuan për ndarjen e ndihmave me vlerë të 175 miliardë dollarëve për Ukrainën, përfshirë më shumë se 60 miliardë dollarë për asistencë të sigurisë.

Është e paqartë nëse ndihmat amerikane do të vazhdojnë me këtë ritëm edhe nën pushtetin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Trumpi, i cili erdhi në pushtet më 20 janar, ka premtuar se do t’i japë fund së shpejti luftës Ukrainë – Rusi, pa treguar se si do ta arrijë këtë. Ndihmësit kanë sugjeruar se mund të nevojiten muaj për të siguruar një marrëveshje armëpushimi.

Presidenti amerikan e ka shprehur gatishmërinë e tij për të biseduar me homologun rus për përfundimin e luftës, qëndrim i kundërt me paraardhësin e tij, Joe Biden, i cili e kishte shpërfillur Putinin.

Fitorja e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ka ngjallur shpresë për zgjidhje diplomatike për përfundimin e luftës që nisi në shkurtin e vitit 2022, por gjithashtu ka nxitur frikë në Kiev se një marrëveshje e shpejtë për paqe mund të vijë me çmim të lartë për Ukrainën./Nacionale

Lajme të ngjashme