Zelensky e viziton qytetin e çliruar, zotohet për çlirimin e plotë të Ukrainës - NACIONALE

Zelensky e viziton qytetin e çliruar, zotohet për çlirimin e plotë të Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka vizituar qytetin e marrë nën kontroll nga forcat ukrainase, Izyum, qendër kyçe logjistike në verilindje të Ukrainës.

Gjatë vizitës në këtë qytet, Zelensky i falënderoi ushtarët që morën pjesë në kundërsulmin ndaj pushtuesve rusë, raporton televizioni BBC.

Ai mbikëqyri një ceremoni për ngritjen e flamurit dhe tha se flamuri ukrainas do të kthehet në secilin qytet e fshat të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas thonë se janë duke vënë në shënjestër qyteza në rajonin lindor, Donbas, pas një vargu fitoresh gjatë kundërsulmit të shpejtë.

Presidenti ukrainas tha se forcat e tij po e fortifikojnë kontrollin e tyre në një sipërfaqe prej 8.000 kilometrash katrorë të territorit të rimarrë në rajonin Kharkiv.

Sasia e saktë e territorit të rimarrë nga forcat ukrainase nuk është vërtetuar nga televizioni BBC.

Ai u zotua se do të kthehet i tërë territori ukrainas që është ende i pushtuar nga forcat ruse. Zelensky tha se nuk e di se kur do të ndodhë kjo, por se “e vërteta është në anën tonë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Ukraina ka shënuar fitore të konsiderueshme dhe se është e qartë se përparimi i Ukrainës ka gëzuar sukses, por paralajmëroi se ofensiva mund të jetë rrugë e gjatë.

Përderisa Rusia ende ka nën kontroll rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, qytezat në rajonin Donbas, që ishin pushtuar në ditët e para të luftës, tashmë janë nën kërcënim nga forcat përparuese të Kievit.

Pas dështimit për të marrë nën kontroll qytete në pjesë të ndryshme të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev, Rusia është përqendruar në Donbas, disa pjesë të të cilit tashmë ishin nën kontrollin e rebelëve të përkrahur nga Rusia para fillimit të luftës së këtij viti.

Andrey Marochko, komandant ushtarak i Republikës së vetëshpallur Popullore të Luhanskut – njëra nga dy rajonet që e përbëjnë Donbas-in – u tha medieve shtetërore ruse se luftimet kanë arritur në kufijtë e këtij territori.

Serhiy Hayday, udhëheqës ukrainas në ekzil i rajonit Luhansk, tha se forcat ukrainase janë duke i sfiduar ushtarët rusë në periferi të qytetit Liman.

“Tash ka beteja të ashpra në Liman, të cilat mendoj se do të zgjasin edhe pak ditë”, shkroi ai në rrjete sociale./Nacionale

Lajme të ngjashme