Zelensky e shkarkon gjeneralin Sodol, akuzohej për paaftësi e shumë të rënë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka shkarkuar nga detyra komandantin e Forcave të Përbashkëta të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Gjeneral Lejtënant Yuriy Sodol.
Televizioni BBC raporton se në vend të tij është emëruar Gjeneral Brigade Andriy Hnatov.
Zelensky nuk dha ndonjë arsye për këtë vendim, për të cilin njoftoi në video-adresimin tradicional të mbrëmjes të hënën.
Sidoqoftë, vetëm disa orë paraprakisht, komandanti i Brigadës Azov, Major Bohdan Krotevych, kishte paraqitur një ankesë në Byronë Shtetërore të Hetimeve (SBI), duke pretenduar se Gjenerali Sodol “kishte vrarë më shumë ushtarë ukrainas se cilindo gjeneral rus”.
Krotevych shkroi në rrjetin “Telegram”, duke thënë se Gjenerali Sodol “nuk po hetohej për humbjen e rajoneve dhe dhjetëra qyteteve e për humbjen e mijëra ushtarëve”.
“Nganjëherë më duket se bota na dërgon zhul [për ta luftuar] në mënyrë që të na bashkojë dhe e tërë ushtria kupton se për kë po flas, sepse 99 për qind e ushtrisë e urren atë për ato që i bën” – shtoi ai.
Më vonë, Krotevych-i e vlerësoi lart emërimin e Hnatovit, duke thënë se ai është “oficer shumë i denjë”.
Pas fillimit të luftës në shkurt të vitit 2022, Sodoli kishte marrë pjesë në mbrojtjen e qytetit Mariupol dhe në betejat afër qytezës lindore ukrainase, Volnovakha. Të dyja këto vende tashmë janë nën kontrollin e rusëve.
Sodoli ishte emëruar komandant i Forcave të Përbashkëta në shkurt të këtij viti, kur Oleksandr Syrskyy ishte bërë komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Hierarkia ushtarake e Ukrainës u është nënshtruar ndryshimeve të konsiderueshme muajve të fundit, përderisa forcat ruse po bëjnë përparime të ngadalshme por të vazhdueshme në lindje të vendit./Nacionale