Zelensky: E papranueshme ideja që lufta të përfundojë në kurriz të Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ideja që bota t’i japë fund luftës në kurriz të Ukrainës është e papranueshme. Ai foli edhe për kandidatin republikan për nënpresident të ShBA-së, JD Vance.
Vance, që i ka kritikuar pakot amerikane të ndihmave për Ukrainën dhe ka bërë thirrje për bisedime me Rusinë, sugjeroi më heët këtë muaj se në planin e ish-presidentit Donald Trump për përfundimin e luftës në Ukrainë mund të përfshihet themelimi i një zone të demilitarizuar të posaçme mes Ukrainës dhe Rusisë, raporton gazeta “The Guardian”.
Vance ka thënë se Ukraina do ta mbante sovranitetin e vet, por do të duhej t’i jepte garanci Moskës se nuk do të anëtarësohet në NATO ose në ndonjë institucion tjetër të aleatëve.
“Ideja që bota duhet t’i japë fund kësaj lufte në kurriz të Ukrainës është e papranueshme, por unë nuk e konsideroj këtë koncept të tij si plan, në asnjë aspekt formal” – tha presidenti ukrainas.
“Nuk i marr seriozisht fjalët e Vance-s, sepse, nëse ky do të ishte plan, atëherë Amerika është nisur drejt një konflikti global. Kjo do t’i përfshijë Izraelin, Libanin, Iranin, Tajvanin, Kinën si dhe shumë vende afrikane. Ajo qasje do ta paraqiste para botës rendin e tërthortë: erdha, pushtova, tani kjo është e imja” – shtoi ai.
Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Zelensky kishte kërkuar që vendi i tij të pranohej në NATO sa më shpejt që do të ishte e mundshme.
Në intervistën me mediumin amerikan, Zelensky tha se kandidati republikan për president të ShBA-së, Donald Trump, nuk di si ta ndalë luftën, edhe nëse mendon që di.