Zelensky e mbron përfundimin e luftës përmes diplomacisë, i përmend trupat e huaja
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të hënën e mbrojti idenë për zgjidhje diplomatike për luftën me Rusinë dhe e ngriti idenë e dislokimit të trupave të huaja në vendin e tij derisa Kievi të anëtarësohej në NATO.
Komentet në një konferencë të përbashkët për gazetarë me udhëheqësin opozitar të Gjermanisë, Friedrich Merz, ishin më të rejat që e sinjalizuan pozicionin gjithnjë më të hapur të Kievit ndaj bisedimeve, kur republikani Donald Trump po përgatitet që të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti i zgjedhur amerikan, i cili ka thënë se dëshiron t’i japë fund shpejt luftës Rusi – Ukrainë, të dielën bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe që përmes bisedimeve t’i jepej fund “çmendurisë”, pasi u takua në Paris për bisedime me Zelenskyn dhe me presidentin francez, Emmanuel Macron.
“Ukraina më shumë se kushdo tjetër dëshiron që kjo luftë të përfundojë. Pa dyshim, një zgjidhje diplomatike do të shpëtonte më shumë jetë. Ne e kërkojmë atë” – tha Zelensky para gazetarëve të hënën në Kiev.
Ai tha se e diskutoi “ngrirjen” e vijave të luftës, kur u takua me Trumpin dhe Macronin. Rusia kontrollon gati një të pestën e territorit të Ukrainës pas nisjes së pushtimit më 2022, që e solli konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Zelensky tha se u tha dy udhëheqësve nga Franca e ShBA-ja se ai nuk beson që Putini në të vërtetë dëshiron t’i japë fund luftës dhe se është nevoja që presidenti rus të detyrohet për një gjë të tillë.
“Ju mund ta ushtroni forcën, vetëm nëse Ukraina është e fortë. Një Ukrainë e fortë para cilësdo diplomaci nënkupton një [Ukrainë] të fortë në fushën e betejës” – tha ai, duke lënë të kuptohej se Kievi ka nevojë për ndihmë për t’u bërë më i fuqishëm.
Zelensky gjithashtu iu kthye idesë së ngritur nga Macroni në shkurt, i cili e ka përmendur mundësinë e dërgimit të trupave nga shtetet evropiane në Ukrainë. Nuk ka pasur konsensus për këtë çështje në mesin e udhëheqësve evropianë.
“Ne mund të mendojmë dhe të punojnë për pozicionin e Emmanuelit. Ai sugjeroi që një pjesë e trupave të një shtet të jenë të pranishme në territorin e Ukrainës, gjë që do të na garantonte neve siguri përderisa Ukraina nuk është në NATO, por ne duhet të kemi një të kuptuar të qartë se kur do të jetë Ukraina në BE dhe kur do të jetë Ukraina në NATO” – shtoi ai./Nacionale