Zelensky do të shkojë në Stamboll vetëm nëse aty është edhe Putini, thotë ndihmësi i tij - NACIONALE

Zelensky do të shkojë në Stamboll vetëm nëse aty është edhe Putini, thotë ndihmësi i tij

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në bisedimet për vendin e tij këtë javë, vetëm nëse aty është edhe homologu rus, Vladimir Putin, tha të martën një ndihmës i udhëheqësit ukrainas, duke e sfiduar Kremlinin që të dëshmojë se e ka njëmend synimin për të arritur paqe.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë ofertë që të marrë pjesë në takimin e propozuar për të enjten në Stamboll, i cili është bërë fokus i përpjekjeve të tij për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të dielën, presidenti rus propozoi bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën, pasi kishte shpërfillur një propozim ukrainas për armëpushim 30-ditor e të pakushtëzuar. Trumpi më pas publikisht i kërkoi Zelenskyt që ta pranonte ofertën.

Më vonë, presidenti ukrainas tha se do ta ftonte Putinin në Stamboll të enjten, edhe pse kreu i Kremlinit kurrë nuk kishte bërë të qartë se synonte të udhëtonte personalisht në Turqi.

“Presidenti Zelensky nuk do të takohet me asnjë përfaqësues rus në Stamboll, përpos Putinit” - i tha agjencisë “Reuters” këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak.

Shefi i stafit i Zelenskyt, Andriy Yermak, tha se udhëtimi i presidentit ukrainas në Turqi dëshmon se Kievi është i gatshëm për bisedime, por e ritheksoi qëndrimin e Ukrainës se bisedimet duhet të fillojnë pas arritjes së një armëpushimi.

“Pozicioni ynë është shumë parimor dhe shumë i fortë” – tha Yermaku në një konferencë në Kopenhagë.

Kremlini nuk ka treguar nëse Putini do të udhëtojë në Turqi.

“Pala ruse vazhdon që të përgatitet për bisedime” – u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për negociatat dhe për kërkesën e Zelenskyt që në to të marrë pjesë edhe Putini.

“Ne nuk do të komentojmë më shumë akoma” – shtoi Peskovi./Nacionale

Lajme të ngjashme