Zelensky diskuton për kundërsulmin ukrainas me kryeministrin britanik
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një telefonate të martën me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, e përsëriti apelin që vendi i tij të furnizohet me burime për ta përforcuar sistemin e mbrojtjes ajrore.
“(Ne) folëm për përpjekjet e përditshme të Rusisë për t’i shkatërruar qendrën historike të Odesës dhe infrastrukturën e portit. Ne duhet ta mbrojmë Odesën. Ukraina urgjentisht ka nevojë që ta fuqizojë mbrojtjen ajrore të saj për ta mbrojtur trashëgiminë e vet historike dhe për ta vazhduar Nismën e Drithit të Detit të Zi”- tha Zelensky për bisedën me kryeministrin britanik, raporton televizioni CNN.
“I diskutuam bashkëpunimin tonë të mëtejmë për mbrojtje, rrjedhën e operacioneve sulmuese të Ukrainës. I paraqita nevojat e tanishme të mbrojtjes (së Ukrainës)”- shtoi presidenti ukrainas.
Odesa, qytet bregdetar në jug të Ukrainës, është goditur nga disa sulme ruse ditëve të fundit, duke vënë në shënjestër rezerva të drithit, disa ditë pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja për eksportimin e sigurt të tij nga portet ukrainase.
Zelensky tha, gjithashtu, se diskutoi për aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim në NATO, duke i përsëritur thirrjet e zyrtarëve të tjerë të lartë në Kiev për ta përshpejtuar këtë proces.
Mbretëria e Bashkuar ka mbetur aleate e palëkundur e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në shkurtin e vitit të kaluar, duke i dhënë ndihma ushtarake me vlerë të miliarda dollarëve dhe duke i vendosur sanksione Rusisë për ta dëmtuar ekonominë e saj.
