Zelensky arrin në Arabinë Saudite për “takime të rëndësishme”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se ka arritur në Arabinë Saudite dhe do të mbajë “takime të rëndësishme”, pjesë e një përpjekjeje për forcimin e lidhjeve me shtetet e Lindjes së Mesme në kohën e luftës së Iranit.
Ukraina po ua ofron vendeve të këtij rajoni ekspertizën e mbrojtjes ajrore dhe teknologjinë e dronëve. Zelensky ka thënë se shpreson që, në këmbim, Ukraina do të sigurojë mbështetje për luftën e saj kundër Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Arrita në Arabinë Saudite. Takime të rëndësishme janë caktuar. Ne e vlerësojmë mbështetjen dhe i mbështesim ata që janë të gatshëm për të punuar me ne për ta garantuar sigurinë” – shkroi Zelensky në rrjetin X.
Rustem Umerov, kryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Ukrainës, po e shoqëronte Zelenskyn në këtë vizitë.
Ukraina ka dërguar ekipe ekspertësh në Katar, Arabi Saudite dhe Emirate të Bashkuara Arabe, sipas fjalëve të Zelenskyt, dhe në këmbim dëshiron para dhe teknologji.
Kur lufta kundër Rusisë tashmë është në vitin e pestë, forcat ukrainase ballafaqohen me një ofensivë të re nga Moska, kur bisedimet e paqes të mbështetura nga ShBA-ja kanë ngecur.