Zelanda e Re dridhet nga një tërmet i fuqishëm prej 6,7 shkallësh
Një tërmet i fortë me fuqi prej 6,7 shkallësh ndodhi të martën afër Ishullit Jugor të Zelandës së Re, thanë autoritetet, përderisa agjencia për menaxhimin e fatkeqësive po vlerësonte nëse kishte ndonjë rrezik për cunami.
Banorët e rajoneve Southland dhe Fiordland duhet të qëndrojnë larg bregdetit dhe zonave të marinës, pasi rrymat e fuqishme dhe të pazakonshme mund të paraqesin rrezik, tha Agjencia Kombëtare për Menaxhimin e Emergjencave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Më shumë se 4.700 njerëz e ndien tërmetin, tha vëzhguesi qeveritar sizmologjik “Geonet”, ndërsa mediat në Zelandën e Re raportuan për rënie objektesh e lëkundje ndërtesash.
“Na ranë gjëra nga raftet. Tavolina e drurit jashtë po vallëzonte” – shkroi një përdorues i rrjetit “Facebook”, sipas gazetës “New Zealand Herald”.
Raportohet se epiqendra e dridhjes ishte në thellësinë prej 33 kilometra nën sipërfaqe, rreth 160 kilometra në veriperëndim të Ishujve Snares, sipas vëzhguesit “Geonet”.
Vëzhguesi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti ndodhi në thellësinë prej 10 kilometrash nën sipërfaqe.
Byroja kombëtare e motit e Australisë tha se nuk kishte rrezik për cunami ndaj territorit kryesor, ishujve ose territoreve të tjera.
Zelanda e Re shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë”, zonë me aktivitet të lartë sizmik përreth Oqeanit Paqësor./Nacionale