Zbulimi i rrjetit të spiunazhit, Hungaria i kundërpërgjigjet Ukrainës me dy dëbime
Agjencia e sigurisë e Ukrainës, SBU, tha të premten se kishte zbuluar një rrjet spiunimi të udhëhequr nga shteti hungarez me qëllim të sigurimit të të dhënave të inteligjencës për sistemet e mbrojtjes. Hungaria reagoi shpejt, duke e quajtur këtë veprim “propagandë” e duke dëbuar dy persona që punonin në ambasadën ukrainase në Budabest.
SBU-ja tha se ka ndaluar dy agjentë të dyshimtë, të cilët, sipas këtij shërbimi, dikur ishin pjesëtarë të ushtrisë ukrainase. Ata po mbahen në ndalim dhe janë njoftuar se dyshohen për tradhti shtetërore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
SBU-ja tha gjithashtu se agjentët ishin ngarkuar me detyrën e sigurimit të të dhënave për bateritë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe kapacitete të tjera ushtarake në rajonin Transcarpathia në jug të Ukrainës, që kufizohet me Hungarinë.
Në Ukrainë jetojnë rreth 150 mijë hungarezë etnikë, shumica në rajonin Transcarpathia. Ukraina dhe Qeveria e Hungarisë janë përplasur në të kaluarën për të drejtat e këtij komunieti për përdorimin e gjuhës së tyre amtare.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha në një konferencë për gazetarë se veprimin e Kievit e cilëson propagandë ukrainase që duhet të trajtohet me kujdes, para se të njoftonte që Budapesti kishte dëbuar nga Hungaria dy persona që i kishte identifikuar si spiunë.
“Ne nuk tolerojmë që Ukraina vazhdimisht të nisë këso aktesh diskredituese kundër Hungarisë dhe popullit hungarez” – tha kryediplomati hungarez në një video të publikuar në “Facebook”.
Szijjarto e akuzoi Ukrainën për përdorim të shpeshtë të propagandës kundër Hungarisë që ka dalë të jetë e pabazë dhe tha se lëvizja më e re e Ukrainës është nxitur nga kundërshtimi i Budapestit ndaj ofrimit të ndihmave ushtarake për Ukrainën.