Zakharova e lidh shembjen e kullës në Romë me përkrahjen për Ukrainën, reagon Italia - NACIONALE

Zakharova e lidh shembjen e kullës në Romë me përkrahjen për Ukrainën, reagon Italia

1 javë më parë

nga NACIONALE

Italia e thirri në takim të martën zëvendësambasadorin rus në Romë për të protestuar për ato që i quajti komente “vulgare” të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila e lidhi shembjen e një kulle në kryeqytetin Italian me mbështetjen ushtarake të Italisë për Ukrainën.

Një punëtor rumun kishte mbetur nën rrënoja, pasi një pjesë e një kulle mesjetare afër Koloseumit të Romës u shemb të hënën. Ai më vonë ishte nxjerrë i gjallë, por vdiq në spital, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Përderisa operacioni i shpëtimit ishte ende duke u zhvilluar, Zakharova në kanalin e saj në rrjetin “Telegram” tha se për aq gjatë sa Qeveria e Italisë “i çon dëm paratë e taksapaguesve të saj” për ta mbështetur Ukrainën, ekonomia lokale dhe kullat e saj do të vazhdojnë që të shemben.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, e quajti “shqetësues” dhe “të papranueshëm” shkrimin e zyrtares ruse, duke shtuar: “Italia nuk do të ndërrojë pozicionin e saj të politikës së jashtme ose parimet e saj si reagim ndaj sulmeve të pamatura verbale”.

Në një deklaratë të publikuar më vonë në rrjetin “Facebook”, Ambasada e Rusisë në Romë shprehu ngushëllime për vdekjen e punëtorit rumun, Octav Stroici.

Më tutje, Ambasada tha se kishte ngritur shqetësime me Italinë për atë që e quajti “fushatë agresive dhe të mjeruar antiruse” në mediat italiane, e nxitur nga komentet e mëhershme të Zakharova-s.

Italia e ka mbështetur në mënyrë të palëkundur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë rus më 2022, duke i ofruar pajisje ushtarake, trajnime dhe ndihma humanitare si pjesë e përpjekjeve më të gjera të NATO-s dhe BE-së.

Megjithatë, opinioni publik në Itali është më i përçarë. Përderisa shumica janë kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe i përkrahin ndihmat humanitare, sondazhet tregojnë se shumë italianë nuk ndihen rehat me dërgimin e armëve ose përshkallëzimin e përfshirjes ushtarake./Nacionale

Lajme të ngjashme