Yermaku thotë se Ukraina ende s’është e gatshme për bisedime me Rusinë
Andriy Yermak, drejtor i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në një intervistë të transmetuar të enjten vonë se Kievi ende nuk është gati për të nisur bisedime me Rusinë, pasi i mungojnë armët, garancitë e sigurisë dhe statusi ndërkombëtar që po i kërkon.
Komentet e zyrtarit të lartë në televizionin publik ukrainas, “Suspilne”, vijnë në kohën kur Zelensky po e shqyrton publikisht mundësinë për një zgjidhje të negociuar të luftës me Rusinë, të nisur në shkurtin e vitit 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ende jo sot” – tha Yermaku në televizionin publik, kur u pyet nëse Ukraina ishte e gatshme për t’u bërë pjesë e bisedimeve.
“Ne nuk i kemi armët, nuk e kemi statusin për të cilin po flasim dhe kjo nënkupton një ftesë për [anëtarësim] në NATO dhe të kuptuarit e garancive të qarta që do të na ofronin ne, në mënyrë që ne do të mund të ishim të sigurt që Putini nuk do të kthehet brenda dy – tre vjetëve” – tha shefi i zyrës së Zelenskyt.
Në komentet e tij këtë javë gjatë takimit me kryeopozitarin gjerman, Friedrich Merz, presidenti ukrainas tha se vendi i tij dëshiron që t’i japë fund luftës dhe se nevojiten përpjekje për ta bërë Ukrainën më të fortë e për ta detyruar Kremlinin që të punojë drejt paqes.
Në paraqitjet e fundit publike, Zelensky gjithashtu ka thënë se mund të ketë edhe bisedime me Rusinë. Sidoqoftë, ai ka paralajmëruar se Ukrainës i nevojitet një ftesë nga NATO-ja për anëtarësim, edhe pse statusi i aleancës do të vlente vetëm për territorin e kontrolluar nga autoritetet ukrainase, si dhe do të duhej të zbatoheshin garanci të vërteta të sigurisë.
Gjatë qëndrimit në Paris javën e kaluar, Zelensky u takua me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili pa dhënë hollësi ka thënë se dëshiron që lufta mes Ukrainës e Rusisë të përfundojë shpejt.
Rusia për një kohë të gjatë e ka kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe Putini ka thënë se Kievi duhet ta pranojë aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Kremlini. Forcat ruse i kontrollojnë vetëm pjesërisht këto rajone./Nacionale