Yermak: Ukraina s’është e gatshme të japë territor për ta përfunduar luftën
Ukraina nuk është e gatshme për të bërë kompromis me Rusinë dhe të dorëzojë territor për t’i dhënë fund luftës, tha të martën një zyrtar i lartë ukrainas, kur u pyet për deklaratën e kandidatit amerikan për president, Donald Trump, se ai do të mund ta përfundonte luftën shpejt.
Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu tha gazetarëve gjatë një vizite në Uashington se Kievi do të dëgjonte çfarëdo këshille për arritjen e një “paqeje të drejtë” në luftë, raporton agjencia “Reuters”.
“Por ne nuk jemi gati për kompromisin për gjërat dhe vlerat shumë të rëndësishme... pavarësia, liria, demokracia, integriteti territorial, sovraniteti” – shtoi ai.
Vizita e Yermakut u zhvillua para samitit të NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Uashington, ku Ukraina pritet të jetë tema kryesore e diskutimeve.
Trumpi, i nominuar i republikanëve në garë kundër presidentit Joe Biden, tha gjatë një debati javën e kaluar se nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, do ta zgjidhë shpejt luftën në Ukrainë para se të hyjë në zyrën e pushtetit në janar.
Ai nuk ka ofruar hollësi për atë se si do ta arrinte qëllimin, por agjencia “Reuters” raportoi javën e kaluar se dy këshilltarë kyçë të Trumpit i kishin paraqitur atij një plan që do ta përfshinte kërcënimin me ndaljen e ndihmave amerikane, nëse Kievi nuk do të hynte në bisedime me Moskën.
Sidoqoftë, Trumpi tha gjatë debatit se nuk i pranon kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin. Kreu i Kremlinit ka thënë se do t’i jepte fund luftës, nëse Ukraina do të pajtohej që t’i dorëzonte katër rajonet në lindje dhe jug të vendit, të cilat Moska i ka shpallur të aneksuara.
Kur u pyet se si Ukraina e vlerëson mënyrën se si Trumpi do ta menaxhonte luftën, Yermaku tha: “Përgjigje e sinqertë: nuk e di. Të shohim.”
Ai më tej tha se Ukraina do të lobojë që administrata e re amerikane ta vazhdojë ofrimin e përkrahjes, duke shtuar se Ukraina kishte marrë mbështetjen nga të dyja partitë kryesore amerikane në Uashington dhe se anketat tregojnë që shumica e amerikanëve ende e përkrahin Ukrainën dy vjet pas fillimit të luftës.
“Do të jetë... një vendim i popullit amerikan. Ne do ta respektojmë këtë zgjedhje” – tha zyrtari ukrainas për zgjedhjet presidenciale në ShBA./Nacionale