WSJ: ShBA-ja planifikon që t’i dërgojë armë Izraelit, edhe pse Bideni po bën thirrje për armëpushim - NACIONALE

WSJ: ShBA-ja planifikon që t’i dërgojë armë Izraelit, edhe pse Bideni po bën thirrje për armëpushim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit Biden të ShBA-së është duke u përgatitur për të dërguar bomba e armë të tjera në Izrael që do t’ia shtonin arsenalin ushtarak këtij shteti, ndonëse Uashingtoni po bën thirrje për një armëpushim në Gaza, raportoi të premten gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ShBA-së.

Në dërgesën e propozuar të armëve përfshihen bombat MK-82 dhe Municionet për Sulm të Përbashkët të Drejtpërdrejtë, KMU-572, dhe kapsolla të bombave, FMU-139, raportoi kjo gazetë, duke shtuar se vlera e këtij armatimi vlerësohet të jetë “dhjetëra miliona dollarë”.

Dërgesa e propozuar është ende duke u shqyrtuar në mënyrë të brendshme nga administrata, thuhet më tej në raportim, ku citohet një zyrtar amerikan, i cili tha se hollësitë e propozimit mund të ndryshojnë para se administrata t’i njoftojë udhëheqësit e komisioneve të Kongresit, të cilët duhet ta miratojnë transferimin e mundshëm të këtyre armëve.

Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes në ShBA, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit dhe Ministria e Mbrojtjes e Izraelit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë “Reuters” për ta komentuar këtë raportim.

Deri në dhjetor të vitit të kaluar, administrata e Bidenit e kishte anashkaluar rishikimin e shitjes së armëve në Izrael nga Kongresi dy herë.

Administrata e tij është ballafaquar me kritika për furnizimin e vazhdueshëm të Izraelit me armë, përderisa po shtohen akuzat se armët e prodhimit amerikan janë përdorur në sulme që kanë vrarë ose lënduar civilë.

Lufta në Gaza nisi, kur luftëtarë të Hamasit të përkrahur nga Irani u futën në Izrael më 7 tetor dhe vranë 1.200 njerëz, shumica civilë, dhe morën peng 253 të tjerë, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.

Ofensiva ajrore dhe tokësore izraelite nga ajo kohë ka shkatërruar një pjesë të madhe të Gazës, duke lënë të vrarë 28 mijë e 775 njerëz, gjithashtu shumica civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, dhe duke e detyruar gati tërë popullsinë prej më shumë se dy milionë njerëzish në enklavë që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme