WSJ: ShBA-ja në bisedime me talibanët për shkëmbim të të burgosurve
Administrata e presidentit Joe Biden të ShBA-së është duke biseduar me Afganistanin për të shkëmbyer amerikanë të ndaluar në shtetin aziatik për të paktën një të burgosur të profilit të lartë që është duke u mbajtur në Guantanamo me lidhje të dyshimta me ish-kreun e Al Qaedas, Osama bin Laden, raportoi të martën gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.
Përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Shtetit të ShBA-së nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment në këtë raport. Nuk u përgjigjën menjëherë as përfaqësuesit e talibanëve afganë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Administrata e presidentit Biden po synon që të kthejë në atdhe tre amerikanë të rrëmbyer më 2022 – Ryan Corbett, George Glezmann dhe Mahmood Habibi – në këmbim të të burgosurit Muhammad Rahim al-Afghani, raportoi gazeta WSJ.
Corbett dhe Habibi ishin ndaluar në incidente të ndryshme në gusht të vitit 2022, një vit pasi talibanët e kishin marrë nën kontroll Kabulin gjatë tërheqjes kaotike të forcave amerikane. Glezmann ishte ndaluar më vonë më 2022, përderisa ishte duke qëndruar në Afganistan si turist.
Afghani është burrë afgan i përshkruar si operativ i nivelit të lartë i al-Qaedas, i cili ishte transferuar në burgun e Guantanamos më 2008 nga ndalimi prej CIA-s.
Bisedimet kanë qenë në lëvizje që nga korriku, sipas gazetës amerikane, e cila citoi burime që morën pjesë në një seancë të klasifikuar të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve muajin e kaluar me këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare.
Raporti vjen në kohën kur administrata e Bidenit të hënën dërgoi 11 të ndaluar të Guantanamos në Oman, duke e zvogëluar numrin e të burgosurve atje për gati përgjysmë si pjesë e përpjekjes për ta mbyllur qendrën, përderisa demokrati po përgatitet që të largohet nga pushteti më 20 janar./Nacionale