“Wow”: Trumpi befasohet nga vendimi i Kanadasë për njohjen e Palestinës, jep një paralajmërim - NACIONALE

“Wow”: Trumpi befasohet nga vendimi i Kanadasë për njohjen e Palestinës, jep një paralajmërim

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e intensifikoi luftën e tij tregtare me Kanadanë një ditë para afatit të 1 gushtit që e ka vendosur për arritjen e një marrëveshjeje për taksat.

Duke shkruar në rrjetin “Truth Social”, presidenti amerikan tha se do të jetë “shumë vështirë” që të bëhet marrëveshje me Kanadanë, pasi Otava e paralajmëroi njohjen e shtetit palestinez në shtator, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi pritet t’u vendosë taksë prej 35 për qind të gjitha mallrave kanadeze që nuk mbulohen nga marrëveshja tregtare mes ShBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, nëse dy vendet më të mëdha të Amerikës së Veriut nuk arrijnë marrëveshje deri në afatin e caktuar nga presidenti amerikan.

“Wow! Kanadaja porsa ka njoftuar se do ta përkrahë shtetësinë për Palestinën. Kjo do të na e bëjë shumë të vështirë neve bërjen e një marrëveshjeje tregtare me ta” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin “Truth Social”.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, më parë ka thënë se bisedimet tregtare me Uashingtonin kanë qenë konstruktive, por ato mund të mos përmbyllen para afatit të Trumpit. Ai shtoi se bisedimet mes dy vendeve ishin në një fazë intensive, por se kishte pak gjasa që të arrihej një marrëveshje me të cilën do të hiqeshin të gjitha taksat e ShBA-së.

Kanadaja është partnerja e dytë më e madhe tregtare e Shteteve të Bashkuara pas Meksikës dhe blerësja më e madhe e eksporteve amerikane. Ky shtet bleu mallra me vlerë të 349,4 miliardë dollarëve nga ShBA-ja vitin e kaluar dhe eksportoi mallra me vlerë të 412,7 miliardë dollarëve në vendin fqinj, sipas të dhënave të autoriteteve amerikane.

Kanadaja gjithashtu është furnizuesja më e madhe e Shteteve të Bashkuara me çelik dhe alumin dhe ballafaqohet me taksa për të dy këto metale si dhe ndaj automjeteve të eksportuara.

Kryeministri kanadez i ndoqi shembujt e Francës dhe Britanisë, duke thënë të mërkurën se vendi i tij planifikon që ta njohë Shtetin e Palestinës në një takim të Kombeve të Bashkuara në shtator.

“Kanadaja e dënon faktin që qeveria izraelite ka lejuar që të shpaloset një katastrofë në Gaza” – tha Carney. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kundërshtuar komentet e tij./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme