Witkoff pritet të shkojë në Izrael mes shqetësimit të ShBA-së për krizën e ndihmave në Gaza - NACIONALE

Witkoff pritet të shkojë në Izrael mes shqetësimit të ShBA-së për krizën e ndihmave në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të udhëtojë të mërkurën në Izrael, raportoi mediumi amerikan “Axios”, duke cituar dy zyrtarë amerikanë.

Një zyrtar izraelit e konfirmoi këtë vizitë për gazetën izraelit në gjuhën angleze, “The Times of Israel”.

“Presidenti dëshiron të dijë më shumë për atë se si është situata humanitare në Gaza me qëllim që të dijë se si të dërgohet më shumë asistencë te civilët në Gaza” – i tha një zyrtar mediumit “Axios”, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e theksoi rëndësinë e ushqyerjes së banorëve të Gazës gjatë një vizite në Skoci.

Emisari Witkoff mund të hyjë në Gaza dhe t’i shohë qendrat e shpërndarjes së ndihmave që i përkasin Fondacionit Humanitar të Gazës që përkrahet nga ShBA-ja dhe Izraeli, sipas raportit.

Për herë të fundit, emisari amerikan e kishte vizituar Izraelin në janar të këtij viti. Ai pritej të udhëtonte në Lindjen e Mesme javën e kaluar në kohën e bisedimeve për armëpushim e lirim të pengjeve në Doha të Katarit, por e anuloi planin për shkak se negociatat dolën nga binarët.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se nuk ka vdekje nga uria në Gaza, por kështu nuk mendon presidenti amerikan, i cili ka thënë se kjo “nuk mund të falsifikohet” dhe se “ka vdekje të vërtetë nga uria” në enklavë.

Lajme të ngjashme