“Washington Post”: Në komunikimet e përgjuara mes iranianëve minimizohet dëmi nga sulmi i ShBA-së
Në komunikimet e përgjuara mes iranianëve minimizohet shkalla e dëmit të shkaktuar nga sulmet amerikane ndaj programit bërthamor të Iranit, raportoi të dielën gazeta “The Washington Post”, duke cituar katër persona të afërt me të dhënat e klasifikuara të inteligjencës që po qarkullojnë brenda qeverisë amerikane.
Një burim, i cili refuzoi që të identifikohej, e konfirmoi këtë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, por tha se kishte pyetje serioze për atë nëse zyrtarët iranianë po e thoshin të vërtetën dhe i përshkroi përgjimet si tregues jo i besueshëm.
Megjithatë, raportimi i gazetës së njohur amerikane është më i riu që e ngre pyetjen rreth nivelit të dëmit që i është shkaktuar programit bërthamor të Iranit. Sipas një vlerësimi preliminar që ka rrjedhur nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, sulmet amerikane mund ta kenë kthyer vetëm disa muaj prapa Iranin.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se nga këto sulme është “shkatërruar tërësisht dhe totalisht” programi bërthamor i Iranit, por zyrtarët amerikanë pranojnë se do të nevojitet kohë për t’u bërë një vlerësim i plotë i dëmit të shkaktuara nga sulmet ushtarake të fundjavës së kaluar.
Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë raportin e gazetës “The Washington Post”.
“Nocioni se zyrtarë të paidentifikuar iranianë dinë se çfarë ndodhi nën qindra metra rrënoja është marrëzi. Programi i tyre i armëve bërthamore ka marrë fund”- citohet nga gazeta “Washington Post” të ketë thënë sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Në një intervistë të transmetuar të dielën në televizionin “Fox News”, Trumpi e ritheksoi besimin e tij se me sulmet amerikane ishin shkatërruar kapacitetet bërthamore të Iranit.
“U shkatërrua siç nuk ka parë askush më parë dhe kjo e nënkuptoi fundin e ambicieve të tyre bërthamore, të paktën për një periudhë kohore” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë./Nacionale