Washington Post: Mosmarrëveshje për naftën, princi saudit e ka kërcënuar ShBA-në me kosto të madhe ekonomike - NACIONALE

Washington Post: Mosmarrëveshje për naftën, princi saudit e ka kërcënuar ShBA-në me kosto të madhe ekonomike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vjeshtën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua se Arabia Saudite do të ballafaqohej me pasoja për vendimin e saj për pakësimin e prodhimit të naftës në kohën e çmimeve të larta të karburanteve dhe para zgjedhjeve në ShBA.

Publikisht, autoritetet saudite i mbrojtën veprimet e veta në mënyrë të sjellshme përmes deklaratave diplomatike. Megjithatë, privatisht, princi Mohammed bin Salman kërcënoi se do ta ndryshojë në mënyrë thelbësore marrëdhënien e vjetër me dekada Arabi Saudite – ShBA dhe se do t’i vendoste kosto ekonomike Uashingtonit, nëse ShBA-ja do të hakmerrej për pakësimin e prodhimit nga Arabia Saudite, sipas një dokumenti të klasifikuar që e ka siguruar gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”.

Princi pretendoi se “nuk do të merrej me administratën amerikane më”, thuhet në dokument, duke premtuar “pasoja të mëdha ekonomike për Uashingtonin”.

Tetë muaj më vonë, Bideni ende nuk i ka vendosur pasoja Arabisë Saudite dhe princi ka vazhduar që të mbajë kontakte me zyrtarë të lartë amerikanë dhe u takua me kryediplomatin Antony Blinken këtë javë.

Nuk është e qartë nëse kërcënimi i princit u është përçuar drejtpërdrejt zyrtarëve amerikanë ose nëse është përgjuar përmes mjeteve elektronike, por ky shpërthim dramatik e shpalos tensionin në zemrën e marrëdhënieve të mbështetur për një kohë të gjatë në “naftë për siguri”, por duke evoluuar shpejt, përderisa Kina po e shton interesimin për Lindjen e Mesme dhe ShBA-ja po i vlerëson interesat e veta si prodhuesja më e madhe e naftës në botë.

Një zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare në ShBA tha: “Ne nuk jemi të vetëdijshëm për kërcënime të tilla nga Arabia Saudite”.

“Në përgjithësi, dokumente të tilla shpesh përfaqësojnë vetëm një pamje e çastit në kohë dhe nuk ka mundësi që ta ofrojë pamjen e plotë”- tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti për ta diskutuar çështjen e inteligjencës.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë që të bashkëpunojnë me Arabinë Saudite, partnere e rëndësishme në rajon, për t’i çuar përpara interesat tona të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për një rajon më të sigurt, të qëndrueshëm dhe me mirëqenie, të ndërlidhur me botën”- shtoi zyrtari amerikan.

Ambasada e Arabisë Saudite në Uashington nuk i është përgjigjur një kërkese për koment.

Lajme të ngjashme