Walz vs Vance - sonte debati mes kandidatëve për nënpresident të ShBA-së
Të martën mbrëma do të zhvillohet debate mes dy kandidatëve për nënpresident të Shteteve të Bashkuara – demokrati Tim Walz, që në zgjedhje garon me zonjën Kamala Harris, dhe republikani JD Vance, që garon bashkë me ish-presidentin Donald Trump.
Debati do të fillojë në orën 21:00 sipas kohës lindore të ShBA-së, ose në orën 03:00 të mëngjesit të së mërkurës sipas zonës kohore të Kosovës dhe Evropës Qendrore. Debati do të zhvillohet në një studio pa audiencë, raporton gazeta “The Guardian”.
Ndryshe nga debati kryesor mes kandidatëve për president, mikrofonat e kandidatëve për nënpresident nuk do të fiken, kur nuk është radha e tyre për të folur, por moderatorët mund t’i ndalin ata gjatë tërë debatit.
Për të ushtruar para debatit me Vancen, Walzi ka punuar me sekretarin e Transportit, Pete Buttigieg, ndërsa Vance ka qenë duke u përgatitur me kongresistin republikan të Minesotës, Tom Emmer.
Kandidatët për presidentë, Donald Trump e Kamala Harris, e zhvilluan debatin e tyre të parë më 11 shtator. Demokratja ka kërkuar debat të ri, por thirrjes së saj nuk i është përgjigjur pozitivisht, të paktën deri më tani, republikani Trump.
Zonja Harris kishte pranuar një ftesë për debat nga televizioni CNN për datën 23 tetor, por Trumpi ka refuzuar, duke thënë: “Është thjesht shumë vonë, votimi tashmë ka filluar.”
Sipas anketave, në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit pritet garë e ngushtë dhe rezultati përfundimtar mund të vendoset nga një numër relativisht i vogël I votuesve në disa shtete kyçe.